Zbulohen gafat e Bayernit, si i “dogji” 4 talente

107

Bayerni i Mynihut dihet botërisht që ësh të klub elitar me një histori të suksesshme 116- vjeçare. Por, që të jesh klub i madh dhe të gjenerosh 500 milionë euro në vit s’do të thotë që nuk gabon, apo ke nuhatje perfekte.

Rekordmenët gjermanë kanë në bord njerëz të specializuar në fushën e futbollit duke nisur nga Rumenige, Zamer, Pol Brajtner apo drejtori teknik Reshke. Gjithkush e di që zemra e një klubi është akademia, “qeliza” më delikate e cila po nuk u ushqye mirë “sëmuret”.

Është prioriteti kryesor në politikat e vet klubit që në Mynih duhet të grumbullohen talentet më të mirë të landit bavarez dhe gjithë Gjermanisë. Mirëpo, revista gjermane “Kicker” ka nxjerrë në pah tre gabime që Bayerni ka bërë në 6 vitet e fundit në akademinë sportive duke mos pasur nuhatjen e duhur dhe refuzuar tre supertalente, transmeton Panorama Sport.

Bayerni gaboi me tre talente Në vitin 2010, Bayernit iu ofrua për provë talenti Jonas Hektor. Mbrojtësi i jashtëm nuk i plotësonte kriteret apo kushtet e kërkuara nga skautët bavarezë. Duke u refuzuar nga Bayerni, Hektor nga ekipi i moshave të Kolnit, u grumbullua me ekipin profesionist në vitin 2012.

Falë performancave të tij të shkëlqyera, 25-vjeçari u bë pjesë edhe e kombëtares gjermane në nëntor 2014. Vlera aktuale e kartonit të tij është 8 milionë euro. Hektor nuk ka qenë i fundit. Bayerni është ndier i dobët dhe është penduar në lidhje sesi veproi me supertalentin aktual të Dortmundit, Julian Vajgl.

Ai ishte vetëm 14 vjeç kur u prezantua në vitin 2010 dhe u refuzua. Më pas, mesfushori 20-vjeçar u transferua te Mynih 1860. Në sezonin 2015-2016 trajneri i Dortmundit, Tomas Tuhel, e mori në ekip ku Borusia pagoi 2.5 milionë euro për kartonin e tij.

“Ajo që na ndodhi me Vajgl, nuk na lejohet të përsëritet”, pati thënë shefi i akademisë së Bayernit, Haiko Fogël. Aktualisht kartoni i vlen 9 milionë euro, por Dortmundit i janë ofruar 25 milionë euro nga Siti. Gabimet e skautëve dhe vendimmarrësve të Bayernit vazhdojnë edhe me Leroi Sane. Supertalenti i ekipit të dytë të Shalkes iu ofrua bavarezëve në tetor 2013.

Për fat të keq, bavarezët nuk u bindën nga ish-lojtari 18-vjeçar. 6 muaj më vonë, talenti 20- vjeçar u grumbullua në ekipin e parë të Shalkes dhe nënshkroi kontratë profesionisti deri në vitin 2019. Tani mesfushori Sane është shndërruar në një nga talentet më të mirë në Europë, aq sa Mançester Siti ka ofruar 55 milionë euro.

Më 13 nëntor 2015, ai u grumbullua edhe me kampionët e botës të drejtuar nga Joakim Lëv. Kartoni i tij vlen 18 milionë euro. Gabimi i fundit ka ndodhur me 22-vjeçarin Emre Xhan, i cili pas largimit nga Bajerni në vitin 2014 është kthyer në lojtarin kryesor te Liverpuli. Nëse bosët e Bayernit nuk do të gabonin në këto raste, Hektor, Vajgl, Xhan dhe Sane do të kishin fatin e brezit të artë të akademisë me Myler, Badshtuber, Alaba, Shvajnshtaiger dhe Lahm.