Zbardhet strategjia e Skënderbeut për Liridon Latifin

Merkatoja e Skënderbeut nuk mund të quhet e mbyllur, pasi do të ketë ende lëvizje për të forcuar akoma edhe më shumë ekipin. Mirëpo, pritshmëritë janë që të ketë edhe largime. Afrimet e fundit kanë qenë kryesisht mesfushorë krahu me tipare sulmuese. Masato Fukui, Enis Gavazaj dhe Shend Kelmendi janë futbollistë që mund të përshtaten në të dyja krahët.

Por, pse Skënderbeu ka përforcuar skuadrën me tre lojtarë në këto role, për më tepër që pjesë e ekipit janë edhe Latifi, Abazi e Nafiu, që gjithashtu luajnë si mesfushorë krahu? “Panorama Sport” zbardh strategjinë e merkatos korçare, teksa jo më kot drejtuesit janë orientuar drejt lojtarëve të krahut. Sipas të gjitha gjasave, një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës, Liridon Latifi, do të shitet këtë verë dhe largimi i tij natyrshëm do të linte një gropë nga krahët e mesfushës.

Në këto kushte, për t’i paraprirë një situate të pakëndshme, Skënderbeu ka afruar plot tre emra që shihen si zëvendësuesit idealë të Latifit. Gavazaj dhe Kelmendi janë talente të dalë nga Prishtina, ndërsa Fukui vjen pas një sezoni fantastik me Tiranën. Japonezi mund të luajë në të dyja krahët dhe afrimi i tij konsiderohet si më i rëndësishmi në këtë merkato.