Zbardhen pesë arsyet pse Kukësi riktheu Musollin

Një lëvizje e papritur erdhi më 29 nëntor nga klubi i Kukësit, ku u njoftua prishja e kontratës me Besar Musollin. Ky i fundit është dëmtuar më 15 shtator kur Kukësi luante ndaj Teutës në Durrës, teksa këputi ligamentin krociat. Pas dëmtimit të rëndë, të gjithë u solidarizuan me zëvendëskapitenin e Kukësit, madje dhe vetë klubi.

Musolli

Mesfushorit i duheshin 6 muaj që të rikthehej në fushë, kohë e cila u konsiderua e gjatë dhe klubi mendoi që t’i paguante 50 për qind të rrogës. Por, mënyra sesi u trajtua çështja, 29- vjeçari nuk e pranoi dhe kërkoi shkëputjen e kontratës, pasi nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë një futbollist me staturën e tij. Por, “dashuria” mes Gjicit e Musollit nuk ka përfunduar. Presidenti bëri një kthesë 360 gradë në raport me kosovarin.

Në fillim me urdhër të presidentit iu përgjysmua paga lojtarit, e në fillim kreu i klubit pranoi largimin e Musollit, ku kushtet ishin ose përgjysmim rroge ose largimi. Sektorët përkatës përgatitën gjithë dokumentacionin dhe veç një firmë përfundimtare e presidentit Gjici do të zyrtarizonte ndarjen.

Ditën e hënë në drekë, mesfushori shkoi në një takim me kreun e klubit, ku i kërkoi letrën përkatëse të largimit, por ishte ky i fundit që kishte ndryshuar krejtësisht kah, duke mos e firmosur. Palët kanë biseduar dhe presidenti i ka theksuar lojtarit se deri në përfundim të kontratës me Kukësin nuk do ketë ulje rroge. Lojtari ishte përgatitur për t’i shtrënguar dorën kreut të klubit, por situata ndryshoi.

PRAPASKENAT – Arsyet e kthesës dhe të reflektimit ishin të shumta, duke filluar që nga krisja mes klubit dhe tifozëve. Tifozët “masakruan” klubin në rrjetet sociale, pasi kurrsesi ata nuk dëshironin largimin e një prej beniaminëve të ekipit. Madje, jo në pak raste klubi ka fshirë komentet në faqen zyrtare në “Facebook”.

Mediat gjithashtu u treguan mjaft kritike me klubin, për mënyrën jotransparente dhe largimin që i bënë lojtarit, madje një shkrim i “Panorama Sport” i ditës së hënë, ishte një pikë referimi për kthesën e drejtuesve. Së treti, stafi mori kritika nga futbollistët aktualë, të cilët haptazi nuk e pëlqyen mënyrën sesi u trajtua shoku i tyre, që së bashku me Shametin janë dy liderët e ekipit.

Madje, shumë lojtarë u frikësuan nga kjo metodë e ndjekur. Së katërti, drejtori Nexhipi, trajneri Cungu, shefi i klubit Hallaçi etj., kanë mbajtur hapur anën e Musollit, duke i kërkuar presidentit Gjici që të rishikojë vendimin. Së pesti, në adresën e Musollit kishin ardhur disa oferta nga klube të Superligës që ai të firmoste direkt, edhe pse i dëmtuar. Bëhet fjalë për skuadra si Tirana, Flamurtari dhe Laçi.