Ymeri: Pushteti i frikësohet kauzës tonë të drejtë

Lëvizje Vetëvendosje konsideron se tashmë ka arsye më shumë për të protestuar, e jo për të ulur intensitetin e protestave. Kryetari LVV-së, Visar Ymeri tha se pushteti po ka frikë ndaj kauzës së tre partive opozitare, dhe në mënyrë indirekte po e pranon se kanë të drejtë. Këto komente Ymeri i bëri në mbledhjen në mbledhjen e 28 të Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën pikë e rendit të ditës ishte situata politike.

Visar Ymeri edhe njëherë e ka quajtur të kontrabanduar dhe skandaloz votimin e Hashim Thaçi president.

Edhe pse ditë më parë tre partitë opozitare e kanë dërguar çështjen e presidentit në Gjykatën Kushtetuese, Ymeri nuk pret ndonjë vendim të drejtë.

Megjithatë ai shpreson që kërkesa e tyre të mos refuzohet, pasi që për tu refuzuar një kërkesë e tillë Gjykata Kushtetuese duhet ta mohoj vendimin e mëhershëm të Behgjet Pacollit.

“Duhet të kuptuar përpjekja jonë, protesta jonë si përpjekje kundër hegjemonizmit dhe përpjekjes për liri dhe barazi. Dhe siç e thotë historia kjo përpjekje kërkon sakrificë dhe vetëmohim dhe është përpjekje afatgjate, ecje rrugës së vendosmërisë dhe bazohet në besnikëri e disiplinë. Me vite burg janë mbajtur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje vetëm gjatë këtyre muajve të fundit…përndjekjen ndaj opozitës nuk e sinjalizojnë vetëm rrëshqitja e pushtetit dhe diktaturës por më shumë pasigurinë dhe frikën që ky pushtet ja ka kauzës tonë të drejtë. Kështu pushteti po e pranon në mënyrë indirekte që ne kemi të drejtë… Sot kemi më shumë arsye për të protestuar sesa që kemi pas dje, prandaj, nuk është koha as e reduktimit të metodave e as e uljes së intensitetit të protestës”, tha Ymeri.

Visar Ymeri, gjatë fjalimit të tij në këtë mbledhje, tha se aktivistët e Vetëvendosjes po arrestohen shkaku i një kauze të drejtë.

Ai bëri thirrje që Lëvizja e Vetëvendosje, opozita e bashkuar të bëhen një, me të gjithë zërat tjerë kundër Mustafës e Thaçit, dhe degradimit të Kosovës./KosovaPress/.