Xhiro 29 e Vala Superligës hapet me një super-ndeshje

Trepça ’89 – Gjilani do ta hapë javën e 29-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll, në ndeshjen që do të zhvillohet të premten në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

89-shi që vjen pas fitores së lehtë kundër Hajvalisë, me një fitore kundër Gjilanit do ta prekte me njërën dorë titullin e kampionit.

Në anën tjetër, për gjilanasit, pikët nuk kanë asnjë rëndësi, përveç që mund t’u prishin punë mitrovicasve.

Njëri prej dueleve më interesante, do të zhvillohet të shtunën në “Rexhep Rexhepi”, ndërmjet, Feronikelit dhe Besës.

“Nikli” do të kërkojë fitore për të mbetur në garë për vendin e dytë që aktualisht e mban Prishtina, pasi sa i përket titullit, kampionët tashmë janë dorëzuar.

Në anën tjetër, për Besën pikët nuk kanë asnjë vlerë, sepse fokusi i pejanëve është në finalen e Kupës kundër Llapit.

Ndeshja tjetër që luhet të shtunën, është ndërmjet Drenicës dhe Hajvalisë.

Drenicasit do të kërkojnë fitore që ta vulosin qëndrimin në Superligë edhe për edicionin tjetër, kurse Hajvalia që i ka të gjitha humbje në pranverë, edhe zyrtarisht ka rënë nga elita.

Tri duelet e fundit që do ta mbyllin javën e 29-të, do të zhvillohen të dielën dhe secili takim është më interesant se tjetri.

Prishtina do ta pres Llapin në njërën prej ndeshjeve më interesante të kësaj jave.

Kryeqytetasit që renditen në vendin e dytë, do të luajnë për tri pikë që do ti mbanin në garë për titull, e po ashtu për ta ruajtur pozitën e dytë.

Prishtina në këtë ndeshje do të luajë pa të ndëshkuarit, Liridon Leci e Armend Dallku dhe të lënduarin, Alban Muqiçi.

Ndërkaq, për llapjanët, cdo rezultat tjetër përveq fitores do të thoshte lamtumirë edhe vendi i dytë që synojnë.

“Nxehtë” pritet të jetë në “Përparim Thaçi” të Prizrenit, ku Liria e pret Dritën.

Kjo përballje do të jetë vendimtare për skuadrën që kërkon ti ikë barazhit.

Prizrenasit do të kërkojnë fitoren e parë në shtëpi në stinorin pranveror dhe ti ikin Dritës në renditje.

Në anën tjetër, për gjilanasit, përveç humbjes, çdo rezultat tjetër do të ishte pozitiv në synimet e tyre për ti ikur barazhit.

Ndeshja e fundit do të luhet ndërmjet Ferizajt dhe Trepçës, duel që mund të përcaktojë skuadrën e dytë që do të largohet direkt nga Superliga.

Ferizaj me fitore do të mbetej edhe më tutje në luftë për mbijetesë, ndërkaq Trepçën e shpëton vetëm fitorja, përndryshe çdo rezultat tjetër, do të thoshte pothuajse largim nga elita.

Ndeshjet e javës së 29-të, do të fillojnë nga ora 16:00.