Xhaka flet për herë të fundit për Kosovën

319

Në krahasim me startin e vështirë të karrierës në Bundesligë, Granit Xhaka është përballur me një krizë edhe më të thellë pasi zgjodhi të shkojë në Premier Ligë.

Granit Xhaka te Arsenali

Debati për refuzimin që të luajë për Kombëtaren e Kosovës ia ka sosur durimin mesfushorit të Zvicrës, i cili thotë gjatë një interviste për “Appenzeller Zeitung” se nuk do të japë më sqarime për akuzat se është një tradhtar. Mesfushori zbuloi edhe përshtypjet e para nga klubi i ri, Arsenali dhe trajneri Venger.

Granit, çfarë ndiet në takimin tuaj të parë me Arsen Vengerin, një figurë e shkëlqyer në historinë e Premier Ligës?

Emocione të mëdha. Isha me të vërtetë shumë nervoz. Ai ka një karizëm të pabesueshme. Kjo vihet re shumë lehtë dhe ti mendon: “Uau, ky njeri ka fituar dhe jetuar kaq shumë gjëra”. Respekti për të është i madh.

Si është komunikimi juaj?

Nuk ka trajner që të flasë çdo ditë me lojtarin. Venger ka folur me mua dy apo tri herë. Më tha se ishte i kënaqur se si stërvitesha, si sillesha dhe se sa i disiplinuar isha.

Në Londër ju jeni pjesë e një skuadre me yje të klasit botëror. Ishit nervoz kur shkuat për herë të parë në dhomën e zhveshjes? Mendoni se keni ngjitur një tjetër shkallë?

Më duhet ta pranoj se në ditët e para isha pak nervoz. Kjo vihej re që në pasimet e para kur përpara ke lojtarë të klasit botëror. Ozil, Sançez, dhe Kazorla janë personalitete të mëdha.

Granit Xhaka

Mes tyre a e shikon Xhaka veten plot vetëbesim?

Kjo do të ndodhte në çdo rast, edhe sikur klubi të kishte paguar më shumë për mua. Nga ata unë mund të mësoj me të vërtetë shumë, në çdo aspekt, që nga kultura e punës deri tek ambiciet e tyre që janë mbresëlënëse.

Konkurrenca në klub është e madhe. Askush nuk mund t’i lejojë vetes të relaksohet, ndryshe përfundon në stol. Çdo seancë stërvitore, sprint dhe lëvizje duhet ta bësh me këmbën deri në fund në gaz.

Keni gjetur në Londër aspekte të panjohura të futbollit që ju kanë surprizuar?

Këtu gjithçka luhet në një nivel më të lartë sesa kam qenë në Mënshengladbah apo te Bazeli. Arsenali është një luks. Arsenali u ofron lojtarëve thjesht maksimumin. Këtu njerëzit kujdesen për çdo detaj. Gjatë fluturimit mund të rehabilitohemi, tregohet kujdes me ushqimin. Gjithçka organizohet në perfeksion.

Ka diçka nga programi në Angli që nuk e dinit?

Çdo të hënë mblidhemi për të kryer testet fizike, për të parë gjendjen e muskujve dhe bërë kontrollet e tjera fizike. Nuk ka asgjë për t’u fshehur këtu. Një herë në javë analizohen kampionet e urinës. Matet gjithashtu me rigorozitet edhe niveli i yndyrnave.

Granit Xhaka

Në Angli jeni shumë më të ekspozuar dhe vëzhguar në publik. Paraqitjet tuaja tani shikohen në nivel botëror. Mendoni se duhet të bëni më shumë në qendër të mesfushës?

Edhe te Gladbahu i tillë isha. Nuk më duhet ta ndryshoj totalisht stilin e jetës në Londër. Vazhdoj t’i vizitoj restorantet që më pëlqejnë. Nuk ka arsye të mbyllem brenda vetëm sepse tani mbaj veshur fanellën e Arsenalit. Unë nuk kam qenë kurrë njeri i skandaleve dhe do të vazhdoj të mbetem i tillë.

Disa për qind energji i keni shpenzuar përsëri për debatin e ndezur të Kosovës.

Më ka ardhur në majë të hundës që duhet të justifikohem gjithnjë. Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë presioni më ushtrohet. Letra ime në “Instagram” (Xhaka shkroi pak ditë më parë në shqip ku shpjegonte arsyet përse do të vazhdonte të luante me Kombëtaren e Zvicrës dhe se nuk ishte një tradhtar) e shpjegon qartazi përse unë vendosa që të luaj për kombëtaren zvicerane në të ardhmen.

shaqiri-xhaka-470x277

Por kur titujt e gazetave prodhohen me përkthime të shtrembëruara, atëherë unë mendoj se kjo është shumë. Më tepër nuk kam çfarë të them për këtë temë.

Në fushë ndikimi juaj rritet. Në kombëtare ju keni një rol shumë të rëndësishëm. Mendoni se mund ta keni të tillë edhe tek Arsenali?

Edhe në Angli e dinë atë që ndodh në Bundesligë. Mendoj se lojtarët që vijnë këtu e dinë këtë gjithashtu. Një lojtar që kushton 45 milionë euro i ka dy apo tri cilësi.