Xhaka e thyen heshtjen nga “Euro 2016”, rrëfen gjëra interesante

198
Derbi i vëllezërve Xhaka ishte një prej momenteve më të përfolur në Euro 2016, me ndeshjen mes Zvicrës dhe Shqipërisë u kthye dhe në një sfidë brenda së njëjtës familje.

Për herë të parë pas Euro 2016, Taulant Xhaka ka folur për sfidën e 11 qershorit dhe përballjen me Granitin në fushë gjatë një interviste të dhënë për klubin e Baselit, duke e cilësuar atë si një sfidë speciale:

“Ishte një ndeshje shumë e veçante, mbi të gjitha për familjen time. Sigurisht, që për mua personalisht nuk ishte e thjeshtë të përballesha në fushë me tim vëlla megjithatë ne jemi profesionistë dhe u sollëm si të tillë në lojë. Dhamë gjithçka në fushë dhe në fund e përgëzuam njëri-tjetrin”, ka deklaruar ai.

Portugalia ishte skuadra që triufmoi në Europian. Humbjen e fundit luzitanët e kishin pësuar pikërisht përballë Shqipërisë ndërkohë që dhe në Francë arritën të kalonin grupin po me të njëjtin numër pikësh si kuqezinjtë, me Shqipërinë që madje shpresoi për një hap fals të portugezëve për të kaluar në 1/8.

“Portugalia në përfundim të fazës së grupeve kishte të njëjtat pikë si ne. Madje ne duhet të prisnim deri në ndeshjen e tyre për të mësuar nëse do të vazhdonim të qëndronim në Europian apo do të elimininoheshim. Gjithsesi duhet ta pranojmë që Portugalia kishte një skuadër të fortë. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, pasi Europianin nuk e fiton rastësisht por e fiton kur ke një skuadër të fortë”, shtoi ai.

Xhaka gjatë karrierës së tij te Basel ka ndërruar shumë trajner por gjithmonë ka patur besimin e tyre duke qenë një prej lojtarëvë më të rëndësishëm në fushë. Gjatë intervistës madje Taulanti theksoi se e imagjinon veten duke luajtur deri në fund të karrierës me Baselin.