VV: Ka mospajtime mes partive opozitare

146

Brenda subjekteve opozitare ka mospajtime dhe për këtë arsye fronti opozitar mori vendim të shtyje protestën e paralajmëruar për nesër, deri në konsolidimin e saj për të krijuar një alternativë shoqërore gjithëpërfshirëse. Kështu tha për KosovaPress zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i cili shtoi se e janë dhe në pritje të epilogut nga Komisioni i ri i formuar nga presidentja për demarkacionin.

Krasniqi tha se opozitës i duhet pak kohë që t’i zgjidhë këto divergjenca – dhe zgjidhja e sqarimi i tyre nënkupton edhe konsolidimin e opozitës.

Ai konsideron se është shumë e rëndësishme që fronti opozitar të zhvillohet dhe të zgjerohet për një alternativë qytetare politike, e cila do të mund ta organizonte më lehtë rezistencën për kundërshtimin e Qeverisë.

Sipas Krasniqit, këto divergjenca në mes partive opozitare janë shfaqur në medie dhe se për këto duhet të sqarohet vetë opozita. Ai tha se LVV është e interesuar që bashkimi opozitar të vazhdojë, të konsolidohet dhe të fuqizohet ende më shumë.

“Ka mospajtime, ka divergjenca të cilat janë shfaqë kohëve të fundit nëpër medie të ndryshme dhe këto divergjenca duhet të sqarohen fillimisht që opozita të bëhet edhe më e fortë dhe më e konsoliduar. Dhe sidomos ka një ide që të zgjerohet opozita duke u krijuar një alternative shoqërore gjithëpërfshirëse e cila do të mund të shërbente edhe si një lloj alternative ndaj kësaj Qeverie të cilën ne duam ta largojmë nga pushteti”, tha Krasniqi.

Ai tha se ideja për anulimin e protestës ka qenë diskutim i përbashkët, dhe sipas tij normalisht që çdo diskutim, çdo ide dhe çdo vendim fillimisht iniciohet, qoftë prej një subjekti, qoftë prej subjektit tjetër. Krasniqi nuk tregoi saktë se ideja e cilit subjekt ishte anulimi, por la të kuptohet se kjo ishte ide e LVV-së dhe NISMA-s.

Ai tha se gjëja më e rëndësishme në këtë rast është që opozita të konsolidohet, t’i diskutojë çështjet dhe zhvillimet fundit që kanë ndodhur brenda saj dhe të jetë e gatshme të krijojë një alternativë .

Krasniqi tha se nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket arsyes për të protestuar ,por sipas tij do të vazhdohet të protestohet dhe për as një moment nuk heqin dorë nga protesta dhe kauza e tyre.

Ai tha se për datën e protestës së ardhshme do të njoftohen me kohë qytetarët e Republikës së Kosovës. /KosovaPress/