Vushtrria shpallet kampione e Ligës së Parë, ky është synimi i madh i radhës

Vushtrria është shpallur kampione e këtij edicioni në Ligën e parë të Kosovës në futboll dhe nga stinori i ardhshëm do të bëjë gara në Superligë.

Dy xhiro pa përfunduar kampionati, Vushtrria i është larguar vendit të dytë me plotë 10 pikë.

Bilanci i vushtrriasve është 21 fitore, tre barazime dhe katër humbje, me 41 gola të shënuara dhe 18 të pranuara.

Në lidhje me këtë sukses të madh të skuadrës së Vushtrrisë, për Insportin folën presidenti i klubit Naser Imeri, trajneri Samuel Nikaj dhe futbollisti Labinot Osmani.

Organizimi i mirë i klubit, funksionimi shumë i mirë i trekëndëshit, kryesi, trajner, dhe lojtarë, kanë bërë që të arrihen këto suksese, tha presidenti klubit, Naser Imeri.

“Organizimi i mirë që nga fillimi i këtij edicioni, korrektësia nga ana jonë, puna e shtabit teknik në krye me profesor Samuel Nikaj dhe ndihmësit e tij gjithashtu dhe lojtarëve në krye me Labinot Osmanin, Ilir Izmakun e gjithë të tjerët u shpërblye e u kurorëzua me titullin kampion në ligën e parë dhe inkuadrimin në Superligë. Duhet falënderuar edhe drejtorin gjeneral të klubit Arian Imeri, i cili ka bërë një organizim të mrekullueshëm të klubit, ku fal tij sot jemi në Superligë”, ishin fjalët e tij.

Aspak të lehtë këtë rrugëtim po e cilëson trajneri Samuel Nikaj, i cili nuk e harron ndihmën e kryesisë dhe tifo grupit Forca.

“U arrit një objektiv madhor por që nuk ishte e lehtë pasi që në start nuk ishim favorit kryesor pasi “luftonim” me dy super fuqi të futbollit kosovar si Besa e Vëllaznimi që kishin dy ndër trajnerët më të mirë në Kosovë si Ismet Munishi e Gani Sejdiu. Por me punë dhe me angazhim nga ndeshja në ndeshje patëm rritje dhe morëm vendin e parë në xhiron e 13-të për të mos e lëshuar më. Mendoj se çelësi i suksesit ka qenë lidhja e fortë kryesi, staf, lojtarë, por pa harruar tifo grupin tonë forca..”, potencoi Nikaj.

Inkuadrimit në Superligë iu ka gëzuar edhe sulmuesi Labinot Osmani.

“Sigurisht që është një arritje e madhe e një rrugëtimi të gjatë deri në Superligë pas barazhit që ishim të dëshpëruar por ne mblodhëm forcat u riorganizuam dhe arritëm të rikthehemi në Superligë. Mendoj që ka qenë një vit plot sakrificë dhe mund për arritjen e Superligës por të cilën e kemi bërë realitet këtë vit. Mendoj që Vushtrria ju ka dashtë Superligës duke pas parasysh atmosferën që mbretëron në tribuna nga tifozëria ,,forca” dhe shpresoj që të jemi njëra ndër ekipet e vështira për tu mundur. Gjithsesi i uroj kryesin, donatorët, stafin teknik, bashkëlojtarët, tifozët e flaktë ,,forca” të cilët na përcjellin dhe na mbështeten në këtë rrugëtim të gjatë dhe të gjithë qytetin e Vushtrrisë për inkuadrim në Superligë”,tha fillimit ai.

Presidenti i klubit jep një deklaratë të fuqishme për Superligën dhe Evropën.

“Sa i përket Superligës, besoj se do vazhdojmë me një mobilizim të madh edhe nga bizneset e tjera të Vushtrrisë. Besoj që Fc Vushtrria shumë shpejtë do ta prek edhe Evropën”, e mbylli prononcimin e tij Imeri.

Vushtrria pritet të jetë edhe më e fuqishme në sezonin e ardhshëm por a do të jetë ende në krye të klubit trajneri Samuel Nikaj.

“Për momentin po shijojmë suksesin e pastaj shumë shpejt do vendosim për vazhdimësinë,  shpresoj të ketë një projekt ambicioz”, përfundoi Nikaj.

Osmani nuk e la pa e përmendur edicionin e ri në elitë, duke shpresuar në rezultate të mira.

“Mendoj që edhe pas inkuadrimit në Superligë klubi do të organizohet edhe me shumë dhe me disa përforcime shpresoj të jemi prej skuadrave që synojmë të bëjmë një kampionat të mirë dhe të suksesshëm”, ishin fjalët e Osmanit.