Vuçiq: Mos përdorni verdiktin ndaj Karaxhiqit për të sulmuar serbët

101

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e Radovan Karaxhiqit me 40 vjet burg për gjenocid në Srebrenicë, ka thënë se shteti i tij “nuk do të lejojë, nuk mund ta lejojë dhe nuk duhet ta lejojë dikënd” që të përdor verdiktin ndaj ish-presidentit të Republikës Srpska, Karaxhiq për ta sulmuar Republikën e Serbisë.

Këtë deklaratë kryeministri serb e bëri derisa i adresohej një memoriali për përkujtimin e viktimave nga bombardimet e NATO-s në Varvarin.

“Serbia ka një obligim që të përkujdeset po ashtu edhe për njerëzit e saj jashtë kufijve. Po i paralajmëroj ata që do të mundohen që ta përdorin verdiktin ndaj ish presidentit serb për të sulmuar politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër Republikën e Serbisë, gjë të cilën në pajtim me Marrëveshjen e Dejtoni, Serbia nuk duhet, nuk mundet dhe nuk do ta lejojë”, ka thënë Vuçiq, transmeton KosovaPress.

Kryeministri serb ka theksuar se Serbia do të qëndroje me njerëzit e saj dhe të mbrojë të drejtat e tyre për të mbijetuar, siç do të mbrojë edhe të drejtat e entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë për të ekzistuar dhe për të jetuar.

“Nuk po e rrezikojmë askënd, nuk po e kërcënojmë askënd, por nuk do të lejojmë dikënd që të shtype serbët vetëm për faktin që ata janë serbë”, ka thënë ai, duke shtuar se serbët janë të panënshtrueshëm, krenarë dhe njerëz të papushtueshëm. /KosovaPress/