Vllaznia ‘trashëgon’ fatin e Hajvalisë

Fati i keq i Hajvalisë po e përcjellë edhe skuadrën e Vllaznisë. Ekipi nga Pozherani mbeti pa të gjithë futbollistët startues të stinorit vjeshtor, pasi që të njëjtit u liruan nga klubi në pamundësi për t’ua kryer obligimet financiare.

I vetmi që pranoi të mbetet është sulmuesi, Mensur Livoreka.

Situata e krijuar te skuadra pozheranase është e njëjtë me atë të Hajvalisë para dy edicionesh, shkruan Gazetasheshi.com.

Për shkak të problemeve me financa, Hajvalisë iu larguan të gjithë futbollistët, teksa vendosi të luante me juniorë.

Përgjatë gjithë stinorit pranveror, hajvaliasit nuk arritën ta grumbullojnë as edhe një pikë të vetme në elitë, teksa kjo skuadër tani bën gara në Ligën e Parë.

Me ekipin e juniorëve e përfundoi stinorin vjeshtor edhe Besa, por te pejanët ka shpresë se mund të ketë lëvizje pozitive këto ditë.