Vllaznia premton se do të bëhet befasi e Superligës

Ka bërë befasi të madhe duke mposhtur Ferizajn në ndeshjen e barazhit, por Vllaznia e Pozheranit premton se nuk do të ndalet me kaq.

Klubi që të shtunën u bë pjesë e Superligës së Kosovës në futboll premton se do të jetë befasi edhe e garës elite, në të cilën do të garojë në edicionin 2017\18, shkruan sot “Koha Ditore”. Vllaznia u rendit e treta në Ligën e Parë dhe kështu fitoi të drejtën që përmes barazhit të kërkojë një vend në Superligë.

Vlerësohej autsajdere përballë Ferizajt, që kishte investuar shumë këtë vit dhe që ishte renditur i dhjeti në Superligë. Ferizaj dominoi në fushë, të shtunën në ndeshjen e barazhit që u luajt në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Por gjatë 120 minutave lojë shënoi vetëm një gol, sa edhe Vllaznia dhe sfida u vendos me penallti.

Në penallti më të suksesshëm ishin lojtarët e Vllaznisë që kështu arritën sukses historik.

Pozhoranasit synojnë të shkaktojnë befasi edhe në elitën e futbollit kosovar.