Visar Berisha i apelon ‘Xhebrailat’ para ndeshjes me Feronikelin, flet edhe për ndryshimet e fundit

Ballkani ka arritur që të kualifikohet në gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll.

Skuadra nga Suhareka, në këtë fazë të garave do të përballet me Feronikelin. Ndeshja e parë do të zhvillohet të mërkurën (nesër) duke filluar nga ora 15:00 në stadiumin e Suharekës. Kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha, e ka komentuar takimin në fjalë në një prononcim për Zëri.info.

“Ne e dimë kualitetet që i ka skuadra e Feroniekelit, por kjo nuk do të thotë që nuk mund ti mposhtim. I kemi marr të gjitha masat e duhura për të fituar dhe për të arritur një rezultat bindës në ndeshjen e parë. U bëjë thirrje të gjithë tifozëve ‘Xhebrailat’ dhe të gjithë sportdashësve që nesër të vijnë në shkallët e stadiumit pasi që është ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin dhe qytetin tonë”, ka deklaruar mbrojtësi Visar Berisha.

“Sa i përket ndeshjes së kthimit, besojmë në kualitetin tonë dhe shpresojmë se fati do të jetë në anën tonë”, shtoi Berisha. Kujtojmë se Ballkani së fundmi ka bërë ndryshime edhe në shtabin teknik, duke e larguar trajnerin Sami Sermaxhaj derisa detyrën ia ka besuar Gani Sejdiut.

“Ekipi është në pozitivitet maksimal dhe me ardhjen e trajnerit të ri është një frymë mjaft e mirë”, përfundoi Visar Berisha.