Vidal si Zamer, Alegri mundi Pepin me zëvendësimet

218

Bajerni e pati të qartë mision in e tij taktik dhe e tregoi që në minutat e para: Të gjithë në sulm dhe presing të vazhdueshëm te Juventusi. Myler dhe Levandovski sulmonin në qendër, me Tomasin që u tërhoq më vonë, duke i lënë vendin Tiago Alkantarës, ndërsa gjermani filloi të lëvizte më tepër pa top. Roben dhe Kosta kishin në “dorëzim” krahët, ndërsa Vidal bënte ndërlidhësin e reparteve në qendër. Të dy, Bernat dhe Lahm, ishin shumë të larguar nga Kimish dhe Alaba, por bënin presing në mesfushë, qoftë nga krahët, qoftë edhe në qendër. Një markim dy kundër 1, me një mbrojtje që në fakt kishte pak detyra për të bërë. Alaba dhe Kimish thjesht koordinoheshin me Vidalin.

Bajerni i pjesës së parë

Moduli i lojës ngjasonte deri diku me atë 4-1-4-1, por që shpërbëhej shumë herë për shkak të lëvizjeve të Vidalit, i cili herë dukej si mbrojtës qendre dhe herë si mesfushor i avancuar, duke bërë presing deri te mbrojtësi kundërshtar. Lëvizjet në sulm ishin me të vërtetë të veçanta, të cilat mjaftuan për të shpërqendruar rivalët. Levandovski nuk lëvizte në drejtim të portës, por gjithnjë për nga krahët, duke lënë hapësira që Tomas Myleri të infiltrohej në diagonal. Alkantara ishte ai që bënte presing të vazhdueshëm për të vjedhur topin e kundërshtarit, ose për të nisur pasimet e menjëhershme drejt qendrës së repartit të avancuar. Sa u përket krahëve, detyra e Arjen Robenit ishte që të lëvizte më tepër pa top. Ai tërhiqte Evranë drejt qendrës së mesfushës, ose në cepat ekstremë, duke bërë që Myleri ta ketë më të lehtë për të hyrë drejt zonës. Ndërsa Kosta ishte ai që do bënte vetëm diferencën një kundër një me Lihshtainerin, që ishte i detyruar të mos merrte inkursione sulmuese, për shkak të shpejtësisë që kishte braziliani.

Alegri, me orientim klasik

Siç ka ndodhur disa herë kohët e fundit, Alegri u ka dhënë shumë rëndësi lëvizjeve me top të Kuadrados në fazën e nisjes së aksioneve sulmuese. Moduli mbrojtës është 4-4-1- 1. Pogba mbron në të majtë, ndërsa Kuadrado i djathtë. Evra, Kielini, Barzali dhe Bonuçi formojnë linjën e rreptë të repartit defensiv. Por, kur bardhezinjtë nisin një aksion sulmues, Evra avancon ndjeshëm në të majtë, Pogba futet drejt qendrës, ndërsa Kuadrado shkon si sulmues i djathtë. Gjithsesi, ky mision u zbatua në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Sidomos në aspektin sulmues, Juventusi dukej sikur nuk kishte asnjë lojtar që mund të udhëhiqte këtë repart. Manxukiç dhe Dibala menduan për të ndihmuar ekipin në aspektin mbrojtës dhe sa herë që skuadra kishte topin në zotërim, ata gjendeshin afër mesit të fushës, në distancë nga Kimish apo Alaba. Madje, këta të fundit pothuajse nuk u ndien asnjëherë të rrezikuar, duke mos pasur dyluftime direkte. Ky fakt ndihmoi ndjeshëm bavarezët që të jenë thuajse perfekt në lojën e tyre dhe të mos ndihen të shqetësuar në prapavijë. Dibala nuk arrinte të çante me aksione individuale, Manxukiç u pa më tepër afër zonës së tij, Kuadrado nuk kalonte dot asnjë kundërshtar pa pasur mbështetjen e Lihshtainerit në krah, ndërkohë që ky i fundit nuk doli dot asnjëherë nga mbrojtja, pasi Dagllas Kosta dukej i pamarkueshëm ndryshe. Pogba tentoi të ndihmojë qendrën e mesfushës, së bashku me Khedirën, për t’i dhënë mundësi Markizios që të organizojë i qetë aksionet, por mesfushori italian nuk i gjente shokët e tjerë të ekipit në pozicionet e duhura. Një shpërqendrim i madh taktik, i cili i lejoi kundërshtarit të vendosë ndjeshëm autoritetin në fushë.

Lahm dhe Bernat

Ishin dy mbrojtës krahu, por që zhvilluan një lojë krejt tjetër. Filip luajti më tepër në qendër. Ai ishte “muri” që duhej kaluar, para se të shkoje të Kimish apo Alaba. Së bashku me Vidalin, luanin si dy shkatërrues në qendër. Ndërkohë, Bernat kishte detyra më tepër sulmuese, të cilat lidheshin në mënyrë direkte me lëvizjet e Alkantarës. Në momentet që Bernat merrte inkursione në krahun e majtë, Tiago e dublonte në prapavijë, ndërsa Kosta duhet të përfitonte nga hapësirat që krijoheshin, për t’u futur në diagonale drejt zonës, diçka që e bëri shumë shpesh. Sa i përket Robenit, ai dukej i vetmuar në krahun e djathtë dhe në fakt nuk u furnizua shumë. Gjithsesi, edhe në ato raste që topi shkoi drejt tij nga Lahmi, asnjë nuk arriti ta parandalonte, çka bie si përgjegjësi te Pogbaja.

Vidal

Roli i tij në fushë ngjason me atë të Zamerit në vitet ’90. Një mbrojtës i lirë, ose një organizator. I bëri të gjitha gjatë ndeshjes së djeshme. Kur Bajerni kishte topin në zotërim, ai tërhiqej në prapavijë, duke qenë i fundit me Kimish. Kjo i jepte mundësinë Alabës që të avanconte disi dhe të bashkëpunonte me Tiagon, Kostën dhe Bernatin në të majtë. Gjithashtu, kiliani ishte organizator kur nisnin aksionet, duke bërë shpërndarjen e topave, si një pikë referimi në qendrën e mesfushës. Një detyrë mjaft delikate, por e realizuar me një saktësi mbresëlënëse. Pikërisht lëvizjet e tij të koordinuara si duhet bënin që markimi ndaj sulmuesve të Juventusit të ishte gjithnjë 3 kundër 1, ose 3 kundër 2, duke e bërë më të thjeshtë shkatërrimin e aksionit të tyre.

Dominimi i Juventusit

Në 20 apo 25 minutat e fundit, “stafeta” e dominuesit të fushës i kaloi Juventusit. Kjo pati një arsye të logjikshme taktike, për të cilën ka meritë Alegri. Futja në fushë e Hernanesit pati një ndikim të jashtëzakonshëm, pasi mesfushori mendoi për të organizuar aksionet më afër zonës kundërshtare dhe kjo i jepte mundësinë Manxukiçit dhe Dibalas që të qëndronin më në brendësi. Pogba gjithashtu luante në ballore me portën e Nojerit dhe kjo detyroi Filip Lahmin që të kthehet në rolin e mbrojtësit të djathtë, për të mos ndihmuar dot si në pjesën e parë. Këtë herë, presingu i gjermanëve nuk mund të kryhej dot në gjysmëfushën rivale, por në gjysmë- fushën e tyre. Arturo Vidal e pati të vështirë të gjejë veten midis shkatërruesit para mbrojtjes dhe stoperit pas Kimishit dhe Alabës. Në një shpërqendrim të tillë të tij, u krijuan hapësira pikërisht në qendër, kjo edhe falë faktit që në këtë pjesë po luante Pogba. Khedira dhe më pas Sturaro luajti si sulmues të dytë, me inkursione të vazhdueshme pa top, drejt zonës së bavarezëve. Guardiola bëri një lëvizje taktike që nuk rezultoi pozitive, përkundrazi. Hoqi Bernatin për të futur Benatian. Ky i fundit luajti në qendër të mbrojtjes me Kimishin dhe Vidalin, ndërsa Alaba doli i majtë. Në fakt, kundërpërgjigjja e Alegrit ishte më e zgjuar. Hoqi Dibalan dhe futi Moratën, i cili për çudi u përdor si sulmues i majtë, në krahun e Lahmit dhe Kimishit, ndaj të cilëve arriti të bëjë diferencën fizikisht, qoftë nga shtatlartësia, ashtu edhe nga freskia. Italianët sulmonin në të majtë me Moratën, Pogbanë dhe Evranë, ndërsa në qendër ishin Sturaro, Hernanes dhe Manxukiç, duke e bërë të pamundur që të markoheshin si duhet. Kjo solli edhe golin e barazimit. Në një moment të tillë, Guardiola mendoi të kundërreagojë dhe jo të mbrohet. Ai hoqi Kostën dhe futi Riberinë duke kërkuar gjithashtu aksione në të majtë. Por, duke qenë se Juventusi ishte më i frymëzuar dhe po ushtronte një presing në pjesën ballore të portës së Nojerit, e bëri të pamundur që gjermanët të jenë efektivë në aksionet e tyre sulmuese. Kjo, edhe për arsyen thelbë- sore se tashmë nuk kishin më shumë futbollistë që qëndronin në afërsi të portës së Bufonit, pasi një pjesë e tyre kishin detyra mbrojtëse, për të ruajtur ekipin nga pësimi i golit të tretë.

Përfundimi

Në pjesën e parë, Bajerni arriti të dominojë falë markimit të shkëlqyer që Lahm i bëri Pogbasë në qendër të mesfushës. Alegri u kishte besuar shumë lëvizjeve të mesfushorit francez dhe për këtë dështoi. Gjithashtu, gjermanët arritën të realizojnë një presing të shkëlqyer në gjysmë- fushën kundërshtare, duke e detyruar rivalin që të mendojë vetëm për t’u mbrojtur. Madje, Dibala dhe Manxukiç qëndruan shumë larg zonës së Nojerit, pikërisht për shkak të detyrimit për të mbrojtur. Por, në pjesën e dytë, Alegri u tregua më efektiv me zëvendësimet. Futja e Hernanesit detyroi Lahmin që të kthehet si mbrojtës i djathtë dhe Pogba të ketë më tepër hapësira. Kjo, bëri që të jetë pikërisht Juvja që të bëjë presing në gjysmëfushën e Bajernit dhe gjermanët që të mendojnë më tepër për t’u mbrojtur. Futja e Moratës rezultoi gjithashtu e suksesshme, pasi Alegri kërkoi që të sulmohet në krahun e majtë me Moratën, Evranë dhe Pogbanë, ndërsa në qendër të zonës prisnin topin Manxukiç, Sturaro dhe Hernanes, duke e bërë të pamundur markimin e tyre. Një ndeshje që u luajt në detaje minimale taktike, por tepër aventuriere nga ana e dy trajnerëve. Secili ekip u hodh totalisht në sulm çdo 45 minuta dhe secili prej tyre shënoi dy herë