Vettel: Kështu nuk fitohet titulli

126

Zhgënjimi që piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, pësoi dje në garën e Çmimit të Madh të Bahrein, ka sjellë pikëpyetjet e para nëse makina “kokëkuqe” mund të përballet me Mercedes për titullin kampion. Askush nuk e vë në dyshim se Ferrari është e shpejtë dhe se mund të rivalizojë Mercedes, por në pikëpyetje është besueshmëria e makinës italiane, që në dy garat e para ka patur dy tërheqje. Madje ajo e djeshmja në Bahrein ishte e turpshme, pasi ndodhi që në xhiron e formatimit, pa nisuir gara.

“Nuk derdha asnjë pikë djersë. Kjo është zhgënjyese. Nuk ishte ky starti i kampionatit që kishim menduar. E dimë që duhet të përmirësohemi, por tërheqja nga gara nuk është asnjëherë një lajm i mirë. Por kjo është jeta dhe duhet të pranojmë që një defekt i vogël në Formula 1 mund të prishë gjithë garën. Fakti që Kimi u rendit i dyti tregon se jemi të shpejtë, por duhet të zgjidhim problemet e tjera”, u shpreh sot piloti gjerman i Ferrarit, Sebastian Vettel, që ka vetëm një vend të tretë në Australi në garën e parë.