Vetëvendosje: Qeveria qëllimshëm po e zvarrit zbatimin e ligjit për viktimat e dhunës seksuale te luftës në Kosovë

98

Lëvizja Vetëvendosje sot, me rastin e 8 marsit, Dites Nderkombetare te Gruas, ka realizuar një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku ka vendosur një baner me hartën e Kosovës me lokacionet ku kanë ndodhur krimet e dhunimeve nëpër Kosovë gjatë luftës.

Aktivistët e kësaj lëvizjeje thanë se Qeveria po vazhdon t’i injorojë viktimat e dhunës. Nol Nushi, aktivist i Lëvizjes VV, tha se Qeveria edhe më tej po zvarritë zbatimin e ligjit për viktimat e këtij krimi makabër.

Ai ne fjalimin e tij ka thene se edhe pas kaq shumë vitesh pas luftës, akoma nuk ka asnjë të dënuar për këto krime të rënda dhe asnjë proces gjyqësor që po zhvillohet ndaj ndonjë ushtaraku apo zyrtari serb.

“Jemi mësuar ta shohim hartën e Kosovës në mënyra të ndryshme. Por kjo harta prapa meje, tregon për krimet, një ndër krimet më të rënda që ka bërë ushtria e Serbisë në luftën e fundit ndaj popullit të Kosovës. Emrat që shihni në këtë hartën prapa meje janë emrat e lokacioneve, ku janë përdhunuar mbi 20 mijë gra e vajza, si dhe burra e djem në luftën e fundit në Kosovë… Qeveria e Kosovës që dy vite po i zvarrit procedurat për të drejtën ligjore ndaj viktimave të këtij krimi makaber. Ky ligj për këto viktima u miratua me shumë vështirësi e pengesa nga legjislatura e kaluar e Qeverisë së kaluar, si dhe nga mazhoranca e kaluar parlamentare. Mirëpo edhe Qeveria aktuale, po vazhdon me qasjen e njëllojtë – injoruese – ndaj kësaj kategorie. Ajo nuk ka bërë as punën më të vogël për fillimin e aplikimit të këtij ligji, madje nuk po e finalizon as aktin nënligjor, që do të qonte në themelimin e komisionit për shqyrtimin e rasteve të dhunës seksuale të luftës së fundit”, tha ai.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ka mbajtur një tubim për të diskutuar lidhur me moszbatimin, sic thote ajo, të qëllimshëm, nga Qeveria e Kosovës të ligjit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.