Vetëvendosje prezanton fakte për demarkacionin

95

Lëvizja Vetëvendosje sot ka paraqitur një hartë e cila për autor mban emrin e Murat Mehës e punuar në vitin 1998, dhe paraqet kufirin me Malin e Zi ashtu siç e paraqesin, ekspertët vendorë dhe partitë opozitare tani.

Sipas shefit të grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Glauk Konjufca, Murat Meha, me vlerësimet e fundit për demarkacionin ka shkelur edhe punën e tij profesionale dhe shkencore, vetëm sa të jetë i pëlqyer nga pushtetarët.

“Kjo hartë figuron që nga viti 1998, dhe autori i kësaj harte është Murat Meha. Ai sa ka qenë studiues i mirëfilltë ka krijuar këtë hartë me kufi të saktë dhe të qartë si e argumentojmë sot ne. Kufirin e kanë vendosur në Kullën e Zhlepit dhe Qafën e Qakorrit si ne që themi tani. Ai atëherë e ka vendosur saktë. Por problemi është që tani Murat Meha më nuk është profesor as shkencëtar por është i kapur nga shteti. Murat Meha si udhëheqës i kësaj pune nuk është vetëm që ka shkel interesat shtetërore dhe kombëtare por kemi të bëjmë me një njeri që shkel punën e tij profesionale vetëm sa të jetë i pëlqyeshëm nga pushtetarët”, tha Konjufca.

Më tej ai theksoi se përgatitja profesionale e komisionit ndërkombëtarë nuk ishte e mjaftueshme dhe sipas tij kjo ishte vërejtur kur ky komision ka përshëndetur demarkacionin me Shqipërinë dhe Maqedoninë, e në fakt demarkacionet e tilla me shtetin e Shqipërisë dhe Maqedonisë ende nuk janë bërë.

“Ky komision ndërkombëtarë ka pasur mangësi sepse është përbërë vetëm nga një ekspert ndërsa dy tjerët kanë qenë vetëm pjesëmarrës. Vërejtja jonë ka qenë që në këtë komision nuk ka qenë asnjë ekspert shqiptar pasi që shqiptarët e dinë vetë se ku është kufiri”, tha Konjufca./KosovaPress/