Veseli: OSHP-në ta udhëheq përkohësisht një kompani ndërkombëtare

81

Kreu i Kuvendit të Kosovës pret që në seancën e ardhshme që do të mbahet të enjten të votohen edhe anëtarët e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Mirëpo kryetari Kadri Veseli ka dhënë një ide për udhëheqjen e OSHP-së për një kohë të caktuar edhe nga një kompani e huaj, e pavarur dhe profesionale për gjykimin e tenderëve në Kosovë. Këto qëndrime dolën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Veseli arsyetoi këtë kompani duke thënë se Kosova ka nevojë për një gjykim, i cili është i paanshëm dhe sipas tij për përmirësimin e imazhit dhe evitimin e keqpërdorimeve në sektorin e prokurimit publik.

Kryetari i Kuvendit duke folur për dialogun me opozitën tha se shumë shpejt për opozitën do të bëhet një ftesë serioze për dialog, por Veseli nuk ka specifikuar ofertën, mirëpo mbetet shumë optimist se opozita do ta pranojë ofertën e tyre.

Për sa i përket komisionit ndërkombëtar për Demarkacionin me kufirin Kosovë-Mali i Zi të formuar nga presidentja Jahjaga, Veseli tha se pret epilogun e punës së ekspertëve dhe pastaj do të merret vendim për ratifikimin e marrëveshjes me dy të tretat e deputetëve.

Për djegien e veturave zyrtare kryetari Veseli tha se është një akt i pa pranueshëm dhe i dënueshëm, i cili nuk i bënë nderë veçanërisht në këto moment as kujt. Sipas tij, ata të cilët i bëjnë veprimet e tilla janë ata të cilët janë kundër pavarësisë dhe janë njerëz që ia dëshirojnë të keqen vendit.

Kryesia e Kuvendit për seancën e së enjtes që do të mbahet prej orës 10:00, ka paraparë të diskutojë dy projektligje dhe dy raporte./KosovaPress/