Veseli: Liria e popullit te Kosovës është e garantuar me Kushtetutën e Republikës dhe me ligjet e saj.

106

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook fjalimin e tij në akademinë e mbajtur për nder të Epopesë së UÇK-së.

Veseli ka thënë se këto ditë le të jenë zgjim institucional dhe bashkërendim i përgjegjësive ligjore e kushtetuese.

Lexoni postimin e plotë të Veselit:

Shënimi i Marsit të Madh, sot, do të thotë një frymëzim për të çuar përpara Agjendën Evropiane të Republikës, për të cilën u flijuan të gjitha moshat e kombit tonë.

Kjo do të thotë se nderimi i heronjve dhe i dëshmorëve të vendit e të kombit, është bërë dhe do të bëhet gjithmonë duke e jetësuar të tashmen e lirë dhe të ardhmen e ndritshme për qytetarët e Republikës pa dallime.

Liria e popullit të Kosovës, është pjesë ekzistenciale e çdo komuniteti që jeton në Kosovë. Ajo është e garantuar me Kushtetutën e Republikës dhe me ligjet e saj.

Dhe një Liri bëhet e vyeshme në praktikë, kur ajo bëhet pashmangshëm pjesë e të gjithë shtetasve të Republikës pa dallim.

Nderimi i Komandantit legjendar Adem Jashari, nderimi i Jasharajve dhe nderimi i të gjithë dëshmorëve të vendit e të kombit tonë, behët çdo ditë të jetës sonë, me punë e përkushtim ndaj të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë e jo vetëm në ditët e shënuara. Të gjithë së bashku, duke i ruajtur dhe kultivuar dallimet dhe ndryshimet tona, mund ta bëjmë të sotmen dhe të nesërmen më të mirë.

Vetëm duke e respektuar ligjshmërinë dhe legjitimitetin e Republikës dhe të demokracisë, mund të rrjedhin proceset për të gjithë.

Dita e sotme e shënimit të Marsit të Madh, le të jetë një zgjim institucional, një bashkërendim i përgjegjësive ligjore e kushtetuese, sepse kështu, mund ta nderojmë gjithmonë njeri-tjetrin edhe kur nuk pajtohemi me njeri-tjetrin, por gjithmonë merremi vesh.

Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes së madhe Jashari!

Lavdi dëshmorëve!