Vedat Muriqi e Florent Hadergjonaj në formacionin e javës në Superligën e Turqisë

Vedat Muriqi dhe Florent Hadergjonaj po vazhdojnë më formë të mirë në Superligën e Turqisë.

Njëri që luan te Fenerbahce e tjetri te Kasimpasa, po tregohen vendimtarë me lojën që po zhvillojnë pas rikthimit të futbollit nga pandemia me coronavirus.

Sulmuesi prizrenas shënoi dhe asistoi në fitoren 3-2 të Fenerit në fundjavën që shkoi ndaj Yeni Malatyaspor, për të qëndruar në pozitën e gjashtë me 46 pikë.

Në anën tjetër, Kasimpasa ka arritur të mposhtë 2-0 Gençlerbirligin, për t’i ikur zonës që dërgon prej rënies nga liga, pasi aktualisht është në vendin e 11-të me 35 pikë.

Dy reprezentuesit e Kosovës po stabilizohen çdo ditë e më shumë në ligën turke, e që këto janë sinjale pozitive për ndeshjet që zhvillon Përfaqësuesja jonë në muajin shtator në Ligën e Kombeve, por edhe ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut.