Vala Superliga e Kosovës

Elita e futbollit kosovar tashmë ka një sponsor. Pasi Raiffeisen Bank vendosi të zhvendoset te Superliga e Kadetëve, tani Superliga e Kosovës do të mbështetet nga Vala.

Ndonëse ende nuk është konfirmuar nga zyrtarë të FFK-së, operatori telefonik do të jetë sponsor i ri i nivelit më të lartë të futbollit vendor.

Madje, siç merr vesh Gazeta Sheshi, në disa prej stadiumeve të skuadrave të Superligës, punonjës të kësaj kompanie kanë dalë për t’i vendosur reklamat, ashtu siç i kishte vendosur viteve të kaluara Raiffeisen Bank.

Me siguri, ditëve në vazhdim FFK do të njoftojë lidhur me sponsorin e ri, derisa pritet të zbulohet edhe shuma e mjeteve që operatori më i madh telefonik në vend do t’i ndajë për futbollin kosovar.

Kujtojmë se drejtori i këtij operatori, Agron Mustafa është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës.