United i ofron Juventusit mesfushorin Schweinsteiger

216

E ardhmja e Bastian Schweinsteiger mund të jetë te Juventusi. Kjo është ajo që publikohet te e përditshmja britanike “Telegraph”, sipas së cilës, drejtuesit e Manchester United po mendojnë t’ia ofrojnë shërbimin e ish-kapitenit të përfaqësueses gjermane skuadrës kampione të Italisë.

Gjithnjë sipas “Telegraph”, “Djajtë e Kuq” dëshirojnë që të përfitojnë diçka nga largimi i 31-vjeçarit në vend që t’i paguajnë ndonjë dëmshpërblim për zgjidhje kontrate, duke parë edhe situatën e krijuar me të pas mbërritjes së Jose Mourinho.

Schweinsteiger prej kohësh po stërvitet me skuadrën e të rinjve të Manchester United dhe nuk është pjesë e planeve të trajnerit portugez. Mësohet se tashmë gjermani ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit anglez për largimin nga “Old Trafford” dhe duket se ka gjetur edhe akordin me “Zonjën e Vjetër” për nënshkrimin e një kontrate 2-vjeçare me pagë 2 milionë euro në sezon.