“Udhëtoj vetëm dhe dje më vranë”

86

“Udhëtoj vetëm dhe dje më vranë”. Postimi në Facebook i vajzës paraguajane, Guadalupe Acosta, është përhapur me shpejtësi marramendëse në internet, si një formë tepër e veçantë denoncimi e dhunës ndaj grave.

Duke folur në vetë të parë, Acosta sjell në vëmendje episodin tronditës të vrasjes së turisteve argjentinase Luz Maria Coni e Marina Menegazzo, gjatë një udhëtimi në Ekuador. Në rrjet nuk vonoi të shpërthente hashtagu #ViajoSola, “udhëtoj vetëm”.

“Dje më vranë”, shkruan vajza duke rrëfyer në mënyrë të pazakontë ndodhinë e trishtë e dy të rejave që patën një fund brutal. “Refuzova të më preknin dhe me thyen kokën. Më copëtuan me thika, më lanë të vdes me gjakun që me derdhej përdhe e pastaj më vunë në një thes plastmasi të zi”, thotë ajo.

Acosta i paraprin dhe insinuatat për këtë situatë. Përse ishe vetëm, si ishe veshur, shkove në një vend të rrezikshëm, çfarë prisje tjetër. Vënë në diskutim prindërit e mi, përgjigjet vajza, sepse më dhanë krahë, më lejuan të isha e pavarur ashtu siç duhet të jetë çdo qënie tjetër njerëzore.

“Dhe vetëm e vdekur e kuptova se për botën unë nuk jam e barabartë me një burrë. E kuptova se faji do të ishte i imi e ashtu do të jetë gjithmonë”, vijon vajza.

Trupat e Marias dhe Marinës, të zhdukura më 22 shkurt, u gjetën të mbyllura bashkë në një thes plastmasi. Autorët e krimit ishin dy të rinj vendas, të cilët ishin ofruar t’i strehonin për një natë.