Tre vellezer ne Prizren arrestohen per fajde

160

Drejtoria e Policisë Rajonale në Prizren njofton se hetues të këtij regjioni, në vazhdën e hetimeve të rasteve të fajdeve, me urdhëresë të gjykatës, kanë kryer një bastisje në një shtëpi në fshatin Shpinadi, ku edhe janë arrestuar tre vëllezër me mbiemrin Kuzhnini, si dhe kanë sekuestruar një armë zjarri, një shufër metalike dhe dy laptopë.

“Në vazhdën e hetimit të rasteve të fajdeve, hetues rajonalë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, me urdhëresë të gjykatës kanë kryer një bastisje në një shtëpi në fshatin Shpinadi me ç’rast kanë arrestuar tre vëllezër me mbiemër Kuzhnini. Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri të llojit pistoletë M 57 me shtatë fishekë të kalibrit 7.62 mm një shufër metalike dhe dy laptopë”, thuhet në komunikatë.

Siç njofton Policia, pas intervistave me të dyshuarit është informuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që njëri nga vëllezërit të lirohet ndërsa dy të tjerë të ndalën nën masën e arrestit policor.

“Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme”, thuhet në fund. /KosovaPress/