Transferimi i Bunjakut, që nuk është realizuar ende

201

Lideri i “Challenge League”, Grasshopperi, luajti në derbin kundër Schaffhausenit të vendit të dytë, por te asnjëra skuadër nuk u paraqit Imran Bunjaku. Diferenca e pikëve është e ngushtë mes dy klubeve në rangun e dytë të futbollit të Zvicrës. Këto dy ekipe janë përballur mes vete edhe gjatë afatit kalimtar të dimrit, në mesin e muajit shkurt. Arsyeja ishte kapiteni i Schaffhausenit, 28-vjeçari Imran Bunjaku, shkruan gazeta zvicerane “Blick” të shtunën.

Mesfushori defensiv, i cili i kaloi të gjitha grupmoshat te skuadra e Grasshopperit, u tha lamtumirë shokëve të skuadrës më 15 shkurt, pavarësisht se ka kontratë deri në qershor të këtij viti me Schaffhausenin.

Pas gjashtë vjetëve të kaluara në Munot të Schaffhausenit, Bunjaku ka vendosur që të rikthehet te skuadra e Grasshopperit në Niederhasli, për një kontratë deri në qershor të vitit 2022.

Më 15 shkurt, sipas “Schaffhauser Nachrichten”, FC Schaffhauseni shkroi edhe një komunikatë për shtyp për transferimin e Bunjakut.

“Për mua personalisht është një mundësi e madhe që kisha dëshirë ta shfrytëzoja për t’u zhvilluar edhe më shumë në futboll”, kishte thënë në atë komunikatë djaloshi nga Zuerichu.

Drejtori sportiv i FC Schaffhausenit, Haas, i heshtur

Ajo komunikatë për shtyp nuk u publikua asnjëherë. Në Ligën Zvicerane të Futbollit, Bunjaku ende është në kontingjentin e Schaffhausenit, 12 ditë pasi afati kalimtar dimëror u mbyll, ani pse kontrata e tij me FC Schaffhausenin u shkëput. Bunjaku po ashtu është në listë si anëtar i FC Schaffausenit në faqen zyrtare të këtij klubi.

Te Grasshopperi thuhet se Bunjaku është lojtar i FC Schaffausenit. Presidenti i FC Schaffhausenit, Roland Klein, i cili ishte anëtar i Bordit të drejtorëve te skuadra e Grasshopperit deri në maj të vitit 2018, e barti rastin e Bunjakut te drejtori sportiv Bernt Haas, nëpërmjet aplikacionit “WhatsAppit”. Ish-reprezentuesi i Zvicrës si mbrojtës, që ka luajtur në Ligën e Kampionëve me Grasshopperin në moshën 17-vjeçare në vitin 1995, nuk e ka ngritur telefonin që nga e diela e kaluar. Edhe Bunjaku ka qenë në situatë të tillë për disa ditë, por asnjëherë nuk u shfaq te Grasshopperi.

Në Schaffhausen po thonë se ai po ushtron me Grasshopperin, ndërsa një gjë e tillë po mohohet në Niederhasli.

Bunjaku te Grasshopperi në verë?

Bunjaku mund të kalojë te skuadra e Hoppersit në verë, sepse momentalisht nuk ka hapësira në kontingjentin e Grasshopperit. Kjo do t’u kursente drejtuesve të klubit me bazë në Zurich edhe para, pasi transferimi i Bunjakut do të jetë i lirë. Për këtë gjë, te Schaffhauseni nuk janë të lumtur aspak. Nga e gjithë kjo situatë mund të pësojë edhe vetë Bunjaku, i cili nuk do të mund të luajë deri në fund të sezonit për shkak të kontratës së shkëputur me FC Schaffhausenin, ashtu siç është përshkruar. Ai madje nuk do të përfitojë as pagë. Por, kushedi, ndoshta Grasshopperi mund ta ndihmojë Bunjakun që të mbijetojë në aspektin financiar, shkruan “Blick”. Grasshopperi madje duhet t’i gjejë edhe një trajner personal për ta mbajtur formën fizike të Bunjakut. Bunjaku këtë edicion, me fanellën e Schaffhausenit, ka shënuar dy gola në 20 ndeshje në të gjitha garat.