Trajneri slloven pjesë e Përfaqësueses së Kosovës

1422

Pozita në Përfaqësuesen A të Kosovës në futboll nuk i është caktuar ende. Por ajo që dihet është se një trajner slloven do të jetë pjesë e ekipit të ri të përzgjedhësit Bernard Challandes, për ciklin kualifikues për Kampionatit Botëror “Katari 2020”, që nis në muajin mars.

Bëhet fjalë për trajnerin Primozh Gliha, që së fundi ka qenë përzgjedhës i U-20 të Sllovenisë. Mediumi ‘KOHA’ ka raportuar se marrëveshja mes palëve është arritur dhe brenda një periudhe do të zyrtarizohet nga FFK-ja.

Javë më parë ekipit të Challandesit iu bashkua trajneri francez Sebastien Bichard, që
do ta mbajë postin e ndihmësit të parë te Kosova. Përfaqësuesit e FFK-së ia kanë dhënë të drejtën përzgjedhësit Challandes për kompletimin e stafit.

“Për të gjitha hollësitë rreth shtabit teknik opinioni do të informohet me kohë, gjatë grumbullimit të radhës të Kombëtares në kuadër të ndeshjeve për kualifikimet e Botërorit ‘Katar 2022’. Përzgjedhësi Challandes e ka të drejtën e kompletimit të stafit dhe tanimë ky proces është duke u zhvilluar”, thuhet në përgjigjen e FFK-së.

Në fakt ishte kërkesa e zviceranit Challandes për ndryshime në ekipin e tij. Procesi ka
nisur javë më parë, ku Bichard në postin e ndihmëstrajnerit e ka zëvendësuar Muharrem Sahitin, i cili do të zhvendoset në postin e drejtorit të Përfaqësueses A të Kosovës.

“Për ciklin eliminator të Botërorit që do të nisë pas disa javësh kanë nisur të bëhen disa lëvizje te Kosova. Pas francezit Sebastien Bichard, në ekipin e Challandesit do të jetë edhe Primozh Gliha. Këto lëvizje pritet së shpejti të zyrtarizohen edhe nga Federata.

Challandesit nuk do t’i ndërhyj askush në FFK për asnjë emër, por pritjet janë që këto lëvizje të sjellin edhe rezultatin. Gliha ka qenë para pak kohësh në Kosovë, përkatësisht te ne, në lokalet e FFK-së. Është takuar me kryetarin dhe kanë biseduar për projektin. Do të shohim se në çfarë pozite do të jetë, sepse ende nuk është definuar pozita e tij në përfaqësuese. Në përfaqësuese ka edhe persona që nuk dalin në pah, por që kryejnë punë të mëdha edhe nga jashtë fushës”, ka deklaruar një zyrtar i FFK-së për KOHËN.

Gliha është 53-vjeçar, i lindur në Lubjanë të Sllovenisë. Karrierë si futbollist ka bërë te shumë skuadra të ndryshme, ndërsa për përfaqësuesen e Sllovenisë ka luajtur 28 ndeshje dhe ka shënuar dhjetë gola. Para se ta drejtonte U-20 të Sllovenisë drejtoi edhe U-18 dhe U-19 të këtij shteti. Ndërsa ka drejtuar edhe skuadrën e Olimpija Lubjanës, Drava Ptujin, Goricën, Mura 05 dhe Koperin.

Në FFK kanë pranuar se do të ketë lëvizje te Përfaqësuesja e Kosovës, por ende sipas krerëve të saj nuk ka asgjë zyrtare për shkak se janë në fazën e negociatave. Në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm Kosova bën pjesë në Grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë. Ndeshjen e parë Kosova në kuadër të këtyre kualifikimeve e luan në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Suedisë më 28 mars, kurse tri ditë më vonë “Dardanët” do të jenë mysafirë të Spanjës.

Para ndeshjeve kualifikuese, Kosova më 24 mars luan miqësore kundër Lituanisë në Prishtinë. Për këto ndeshje dhe të tjerat është paralajmëruar se do të ketë edhe lëvizje të lojtarëve. Janë paralajmëruar prurje të reja dhe disa futbollistë që kanë bërë hapa prapa në karrierë së fundi pritet të mbeten jashtë ekipit, të paktën për ndeshjet e muajit mars.