Trajneri kosovar e vlerëson Wolfsburgun: Ndeshje e vështirë por e dimë çfarë duhet bërë

Sot në Nyon të Zvicrës, është hedhur shorti për 1/16 e Ligës së Kampionëve ku skuadra kosovare KFF, Mitrovica ka mësuar kundërshtarin e saj. Kampioni i Kosovës i cili ditë më parë shkroi historinë kur u kualifikua në këtë raund të garave, do të ndeshet me skuadrën gjermane Wolfsburg, shkruan Zëri.info

Shorti ishte i pamëshirshëm, pasi Wolfsburg kishte kuotën më të madhe pas kampionit të shumëfishtë, Lyonit. Trajneri i skuadrës mitrovicase, Seidi Onbashi në një bisedë për Zëri.info, ka komentuar këtë short, derisa ka njoftuar edhe për risitë dhe përgatitjet që do t’i bëjë skuadra për këtë takim qw luhet muajin e ardhshëm vajtje-ardhje.

“Kundërshtarin e njohim si emër të madh në futbollin femëror. Ne do të mundohemi të gjejmë xhirime të ndeshjeve të tyre dhe t’i analizojmë mirë edhe pse e dimë që kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të fortë”, ka thënë për Zëri.info, Onbashi.

“Do të mundohemi ta bëjmë më të mirën, të paraqitemi sa më mirë edhe pse jo mos të bëjmë ndonjë befasi nëse mundemi”, vlerësoi tekniku mitrovicas duke njoftuar për mundësin e ndonjë përforcimi.

“Do të shikojmë të përforcohemi, por unë jam një tip trajneri më ndryshe. E di që është interes i të gjithëve të paraqitemi më mirë, por jam që këto vajzat që na kanë pruar deri te kjo histori, deri te ky moment i bukur të vazhdojmë të luajnë ato, unë besoj në to shumë”, ka përfunduar Onbashi.