Trajneri i mirënjohur: Ky futbollist i Kosovës është trim, nuk do ta bëjë ‘hesap’ këtë problem

Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje këtë muaj në kuadër të eliminatoreve për ‘Euro 2020’.

Fillimisht, ‘Dardanët’ përballen me Çekinë në Plzen më 14 nëntor, ndërsa tri ditë më vonë e presin Anglinë në Prishtinë.

Para ndeshjeve të muajit nëntor, ka pasur zëra për një lëndim të mundshëm të Vedat Muriqit, sulmuesit kryesor të Kosovës.

Futbollisti prizrenas u pa duke ndjerë dhimbje në ndeshjen Fenerbahçe – Kasimpasa, por që ende nuk dihet shkalla e lëndimit të tij.


Megjithatë, trajneri i Kosovës U-19 Ramiz Krasniqi është i bindur se Muriqi nuk do ta bëjë ‘hesap’ këtë problem.

“Kush e njeh Vedat Muriqin, e di se ai është një futbollist trim, një futbollist i guximshëm”, ka thënë fillimisht Krasniqi në RTK, përcjell Zëri.info.

“Unë jam i bindur se ai nuk do ta bëjë ‘hesap’ këtë lëndim dhe se do të na bashkohet”, tregoi më tej Krasniqi.

“Ai është për t’u lavdëruar për atë që ka bërë për të arritur këtu”, shtoi Krasniqi.