Trajnerët që “bombarduan” me deklarata e mund të mbesin me “gishta në gojë”

196

Dy trajnerët që këtë edicion kanë ‘bombarduar’ me deklarata tejet ambicioze për titull të kampionit, Ismet Munishi i Hajvalisë dhe Tahir Batatina i Llapit, mund të mbesin me ‘gishta në gojë’.

Hajvalia ndodhet e dyta në renditje, por ka pesë pikë më pak se lideri, Feronikeli dhe do ta ketë tejet të vështirë ta rrëzojë nga ‘froni’ ekipi nga Drenasi që po kalon një formë tejet të mirë, shkruan Gazeta Sheshi.

Munishi vazhdimisht ka deklaruar se ka skuadrën më të mirë në Superligë dhe do të kurorëzohen me titull, por gjërat nuk janë duke ecur siç ka menduar Munishi. Ndërsa, kohëve të fundit ka nisur t’i fajësojë edhe rivalët.

Nga ana tjetër, Tahir Batatina i Llapit po sheh ëndrra me sy hapur, sidomos sot pas humbjes nga skuadra e fundit në renditje, Istogu.

“Llapi nuk është dorëzuar në luftën për titullin kampion. Edhe Barcelona kishte 10 pikë më shumë se vendi i dytë por tani ka vetëm tri. Ne do të luftojmë deri në fund në të dy frontet”, pohoi Batatina pas ndeshjes.

Llapi ka dhjetë pikë prapa liderit, Feronikelit që ka një ndeshje më pak.

Megjithatë, ndryshe nga Hajvalia, Llapi ta shpëtojë edicionin me fitimin e Kupës, pasi ndodhet në gjysmëfinale, teksa do të luajë me Prishtinën.

Edhe në këtë drejtim Batatina ka dhënë deklarata të mëdha, por mbetet të shihet nëse do t’ia arrijë qëllimit.