Trajnerët e rinj në Kosovë ndihen të rrezikuar nga ardhjet e shumta nga jashtë

Derisa trajnerët me përvojë nuk janë se po i presin shumë mirë këto ndryshime, të cilat sigurisht që kanë ndikuar në punën e tyre, trajnerët e rinj vazhdojnë të besojnë në vlerat e veta dhe nuk dyshojnë se në një të ardhme të afërt se do ta kenë rastin të punojnë edhe në elitë.

Prishtina udhëhiqet nga Mirel Josa, Feronikeli nga Dejan Vukiçeviq, Drita nga Ardian Nuhiu dhe Gjilani nga Gentja Mezani, trajner të huaj ka edhe Flamurtari Artim Shaqirin, pavarësisht se kjo skuadër nuk ka pretendime për titull.

Për Erdin Hashanin ky është viti i dytë që punon si trajner dhe ai beson shumë se atij një ditë do t’i jepet rasti t’i tregojë vlerat e veta në elitë dhe nuk e sheh të rrezikuar të ardhmen nga trajnerët e huaj.

“Çdo klub kërkon sukses dhe sukseset vijnë nëpërmjet ndryshimeve, kështu që klubet po e shohin të udhës që ndryshimin ta bëjnë nëpërmjet trajnerëve të huaj, që ndoshta kanë të drejtë. Por unë mendoj se klubet duhet të mendojnë për një plan afatgjatë për ta filluar ndryshimin me grup-moshat, sepse u bë kohë që sa vjet nuk po dalin futbollistë të rinj në Superligë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Erdin Hashani.

“Suksesi në futboll është sikur të marrësh me qira, aq sa punon do të paguhesh. Të mos harrojmë që në profesionalizëm konkurrenca është shumë më e madhe. Këtë secili prej neve duhet ta ketë parasysh, sepse kemi kërkuar profesionalizëm dhe tash duhet ta kuptojmë edhe konkurrencën”.

“Normal që tani e kemi ne më të vështirë sesa trajnerët e tanë që i kishim, por duhet të punojmë shumë, sepse suksesi të mban. Klubet kanë të drejtë të marrin kë të duan, po të mos e harrojmë se shumë klube i provuan edhe trajnerët nga jashtë Kosovës, por që nuk patën shumë sukses. Gjithsesi futbolli sot është bërë biznes dhe ne duhet pajtuar me këtë fakt”, ka thënë Hashani, i cili në asnjë mënyrë nuk e sheh të rrezikuar karrierën e vet nga trajnerët e huaj.

“Nuk e shoh të ardhmen time të rrezikuar. Mendoj se secilit trajner vendor ka për t’i ardhur rasti, por a do të ketë fat e sukses atëherë kjo është në pikëpyetje, sepse këtu është mangësia, kisha për të thënë te klubet tona që trajnerëve vendorë nuk u japin shumë kohë sa u japin trajnerëve që vijnë nga jashtë”, ka përfunduar Erdin Hashani.