Edhe pse është herët për të dalë në përfundime, mund të thuhet se Erik Tohir është mërzitur shumë shpejt prej “lodrës” më të fundit. Investitorit indonezian nuk i kanë dalë mirë llogaritë dhe në muajt e fundit është munduar që të gjejë një mënyrë për të shpëtuar prej “vorbullës” zikaltër.
Gjysmë e vërteta
Lajmi që publikoi dje “Gazzetta”, sipas të cilës 45-vjeçari i ka kërkuar “Goldman Sachs” të gjejë blerës për aksionet e Masimo Moratit, ishte pjesërisht i vërtetë. Indoneziani ka kontaktuar me bankën për të kërkuar blerës për aksionet që zotëron vetë. Por institucioni në fjalë i ka thënë se askush nuk do të ishte i gatshëm që të blinte një pjesë të aksioneve (që nuk do t’i siguronin mazhorancën) dhe për këtë motiv Erik Tohir ka nxjerrë në “treg” të gjithë paketën që i lejon të kontrollojë klubin.