Titulli i Skënderbeut apo Partizanit, përgjigjet UEFA

176

Skënderbeu u pezullua 1 vit nga Kupat e Europës, vendim ky i marrë nga organet disiplinore të UEFA-s dhe që u çertifikua nga CAS-i i Lozanës. Për pasojë, korçarët mbetën jashtë pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, ndërprenë përgatitoren austriake dhe tashmë shohin jo pa lakmi Partizanin, që i ka zëvendësuar denjësisht, deri tani, në kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

Mirëpo, duket se historia në fjalë nuk ka mbaruar, ka edhe “akte” të tjera. Të paktën për drejtuesit e Partizanit, që përmes Sulejman Starovës shprehën para dy ditësh pakënaqësinë e tyre për mungesën e reagimit nga FSHF-ja.

Reagim, sipas tyre, do të thotë që titulli kampion t’i hiqet Skënderbeut, meqë është dënuar për trukime vendore dhe ndërkombëtare, dhe t’u jepet “demave të kuq”, si nënkampionë. Nga ana e tij, Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së dha njëfarë përgjigjeje në këtë drejtim, edhe pse nënvizoi se bëhej fjalë për një qëndrim personal dhe jo institucional. Sipas ish-kapitenit të të kuqve, dënimi i dhënë nga UEFA ndaj Skënderbeut është pa bazë, i mbështetur në mesazhe Facebook-u. E megjithatë, ai shtoi se janë në pritje të vendimit të UEFA-s, për t’ia kaluar më tej interpretimin e tij për vendimmarrje Komisionit të Etikës.

“Telesport.al” kontaktoi me zyrën e shtypit të UEFA-s lidhur me gjithë këtë histori, e cila na u përgjigj përmes e-mail-it: “Ne vetëm mund t’ju rekomandojmë artikullin tonë të fundit lidhur me këtë rast, i publikuar në faqen tonë zyrtare, në fillim të muajit (http://www.uefa.org/mediaservices/newsid=2388638.html). Ne nuk kemi ndonjë koment të mëtejshëm për të bërë mbi këtë çështje”.

Pra, UEFA e konsideron të mbyllur dënimin e Skënderbeut, duke e lënë “topin në fushën” e FSHF-së për më tej, që ajo të zbatojë rregulloret përkatëse e të brendshme, pra kombëtare, për një skuadër, anëtare të saj, që është dënuar për trukim. Në përgjigjen e saj, UEFA ridërgon shkrimin (qëndrimin) e saj të fillimit të këtij muaji (e mërkurë, 6 korrik 2016, ora 14.33).