“The Guardian”: Hysaj dhe Celina, 2 nga 10 yjet e rinj të kualifikueseve

E përditshmja prestigjoze angleze, “The Guardian”, ka bërë një artikull mbi 10 yjet e rinj të futbollit që duhen mbajtur nën vëzhgim gjatë kualifikueseve “Rusi 2018”.

Në këtë listë, anglezët kanë përfshirë edhe mbrojtësin e djathtë të Shqipërisë dhe Napolit, Elseid Hysajn, si dhe sulmuesin e Kosovës dhe Manchester Cityt, i huazuar te Twente, Bersant Celinën.

Mbrojtësi 22-vjeçar i Napolit, i cili, njësoj si shumë shokë të tij të kombëtares, u rrit jashtë Shqipërisë, është një figurë kyçe e ekipit që ra në sy gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian, në të cilin siguroi dhe fitoren e parë në finalet e një turneu, atë ndaj Rumanisë në ndeshejn e fundit në grup.

Ai është një mbrojtës i djathtë natyral, por i aftë të përshtatet edhe majtas, dhe ka një ritëm loje të lartë duke dalë shpesh në ndihmë të sulmit. Klubi i tij po bën çmos ta mbajë në skuadër, por “grabitqarët” e gatshëm për ta rrëmbyer po qarkullojnë.

Tani që Shqipëria e ka bërë debutimin e saj në finalet e një kompeticioni madhor, kualifikueset që fillojnë të hënën në shtëpi ndaj Maqedonisë, do të jenë një përgjegjësi për Hysajn që të vërtetohet se arritja e EURO 2016 nuk ishte diçka e rastësishme.

Vëmendja do të jetë e gjitha mbi ndeshjen e parë të Kosovës të hënën kundër Finlandës dhe me interes do të shikohet sesi talenti i Manchester Cityt, i huazuar te Twente, do të përballet me situatën, pasi zgjodhi të ndryshojë kombëtaren e Norvegjisë, shtetit ku u rrit.

Kosova nuk pritet të prodhojë rezultate menjëherë, sidomos kur shumë prej lojtarëve janë të pasigurt nëse do të lejohen të luajnë, por Celina është i gatshëm për t’u aktivizuar dhe ka potencuialin për të qënë një yll.

Ai vlerësohet shumë te Siti, ku është fokusuar për të mësuar nga David Silva, dhe nëse me mundësitë që do të ketë në dispozicion, do të tregojë vlerat e tij në Hollandë këtë sezon, sulmuesi ia vlen të ndiqet gjatë fushatës kualifikuese të vendit të tij.