Thaçi: Serbia do ta njohe Kosoven kur te integrohet ne BE

69

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëri ka hedhur poshtë pretendimet se ai ishte i përfshirë në krime lufte.

Ai në një intervistë për Die Presse ka folur gjerë e gjatë për zhvillimet në Kosovë, pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime lufte, Kosovën si rrugë transit për emigrantët, pretendimet e opozitës se gjatë zgjedhjes së tij president pati shkelje kushtetuese.

Thaçi ka thënë se zgjedhja e tij president i Kosovës ishte legjitime, ndërsa ka kërkuar që dhuna të mos vazhdojë të jetë pjesë e skenës politike në vend.

“Zgjedhja ime si president ishte legjitime. Por, ne duhet ta respektojmë vendimin e opozitës për të dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është demokracia”.

“Çfarë duhet të jetë e qartë: askush nuk guxon të përdorë dhunën për qëllime politike. Në zyrën time të re si President, unë do të përpiqem të ndërtoj ura ndërmjet partive. Data për zgjedhje nuk qëndron në duart e presidentit apo tek njëra parti, por tek parlamenti”.

Sa i përket pretendimeve për krime lufte të kryera nga UÇK-ja, ai ka thënë se ata kanë shkelur vetëm ligjet e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq.

“Ne nuk duhet të paragjykojmë vijueshmërinë e procesit të gjykatës. UÇK-ja nuk i ka shkelur rregullat ndërkombëtare. Ne i kemi shkelur vetëm ligjet e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq dhe unë jam krenar për këtë”.

Ndërsa lidhur me njohjen e mundshme të Kosovës nga Serbia, Thaçi ka thënë se ajo do të ndodhë, por jo në një afat të shkurtër.

“Po, patjetër. Por, jo menjëherë. Njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë do të pasoje paralelisht me procesin e integrimit të Serbisë në BE”.