Të gjithë e adhurojnë Papa Françeskun, vlerësohet njeriu më popullor në botë

88

Papa Françesku është më popullor se çdo udhëheqës politik i globit, duke lënë pas edhe Barack Obamën, Angela Merkelin, David Cameronin e Francois Hollande.

Një sondazh i realizuar nga “Win/Gallup International” tregon se, mendimin më favorizues për kreun e Selisë së Shenjtë e kanë romano-katolikët dhe hebrenjtë. Por Papën argjentinas e shohin me admirim edhe më shumë se gjysma e protestantëve të botës, si dhe pjesa më e madhe e ateistëve.

Anketimi përfshin njerëz në 64 shtete të ndryshme. Gjatë 3 viteve të Papatit të tij, Françesku është mbuluar nga valë dashamirësie e u ka fituar zemrat dhe mendjet, jo vetëm romano-katolikëve, por edhe besimtarëve të feve të tjera, madje edhe jobesimtarëve.

Ndër vendet më entuaziste, kur vjen fjala te kreu i Kishës Katolike, të parat rreshtohen Portugalia dhe Filipinet, ku mbështetja e Papës është në nivelin 94% dhe 93%.

Vlerësimin më të ulët, Ati i Shenjtë e ka marrë në Tunizi, Turqi dhe Algjeri, ndërsa në Azerbajxhan, shumica e të intervistuarve nuk dinin gjë për të.

“Papa Françesku është një udhëheqës që e kapërcen edhe vet fenë e tij, – tha presidenti i “Win/Gallup International”, – dhe studimi tregon pikërisht sesi shumica e qytetarëve të botës e shohin me pozitivitet figurën e Bergoglios, pavarësisht besimeve që kanë”.