Tashmë është zyrtare: Milan shkarkon Mihajlovicin

97

Ashtu siç kishte transmetuar mbrëmë Gazeta Sheshi edhe ndodhi. Lajmi për shkarkimin e trajnerit serb tek Milani Sinisa Mihajlovic u zyrtarizua sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, në të cilinklubi kuqezi njoftoi shkarkimin nga detyra të trajnerit serb, duke ia besuar drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit Cristian Brocchi-t.

Fatale për Mihajlovic humbja e pësuar në San Siro me Juventusin. Një disfatë që edhe pse e pamerituar për atë që skuadra tregoi në fushë, u shoqërua me vendimin e presidentit Berlusconi që ta largonte trajnerin, me të cilin shkëndija e afeksionit nuk u ndez asnjëherë.

“Milan njofton shkarkimin nga detyra të Sinisa Mihajlovic nga detyra e trajnerit. klubi e falënderon për punën e kryer me impenjim dhe korrektësi”, lexohej në deklaratën për shtyp të kuqezinjve. Aty theksohej se “drejtimi i skuadrës i besohet Cristian Brocchi-t deri në fund të sezonit”, të cilit Milani i uroi punë të mbarë.

Lajmi për largimin e Mihajlovic ishte konkret prej disa orësh, por zyrtarizimi erdhi në orët e para të mëngjesit të së martës. Ishte vetë administratori Adriano Galliani ai që e telefonoi ish-trajnerin, për ti komunikuar vendimin e klubit.

Ndryshimi i drejtimit në stol, duket se ishte vendosur prej mbrëmjes së të hënës, gjatë një darkë në Arcore të konsumuar ndërmjet presidentit Berlusconi, trajnerit të ri Brocchi dhe vetë Gallianit. Një darkë ku trajneri i ri mori votëbesimin e drejtuesve më të lartë të “Djallit” për të drejtuar ekipin e parë, pasi deri më tani kishte punuar me skuadrën e të rinjve të Milanit.

Në bazë të rezultateve që ekipi do të arrijë deri në fund të sezonit, do të vendoset nëse Brocchi do të vazhdojë punën edhe gjatë edicionit të ardhshëm. Me synimin për të siguruar një vend në Europa League dhe me finalen e Kupës së Italisë për t’u luajtur, gjithçka është për t’u vendosur.