Superliga e kaloi provimin

Kosova ka pësuar humbje me rezultat minimal nga Suedia në miqësoren e zhvilluar në Doha të Katarit, por ka treguar një paraqitje shumë të mirë, edhe pse përzgjedhësi Bernard Challandes shumicën e futbollistëve i kishte ftuar për herë të parë në këtë grumbullim.

“Dardanët” gjatë tërë ndeshjes ishin më të mirë se suedezët, duke krijuar edhe disa raste të mira, por që nuk u treguan efikas në finalizim të aksioneve.

Komentet e trajnerëve kosovarë pas ndeshjes

Zvicerani Bernard Challandes për ndeshjen ndaj Suedisë i kishte ftuar plot 13 lojtarë nga Superliga.

Njohës të futbollit kosovar vlerësojnë se lojtarët e elitës së futbollit kosovar janë paraqitur shumë mirë në këtë ndeshje. “Futbollistët që luajnë në Superligën e Kosovës kanë treguar formë të mirë dhe janë paraqitur mirë, por edhe me emocione”, ka deklaruar trajneri i mirënjohur kosovar, Bylbyl Sokoli. shtoi ai. “Ishte një ndeshje miqësore, një ndeshje kontrolluese për futbollistët e rinj te Kosova A”, shtoi Bylbyl Sokoli.

“Për më shumë, kjo është një mundësi për menaxherët e futbollit që t’i shikojnë futbollistët dhe t’i plasojnë ata në tregun ndërkombëtar”, vlerësoi trajneri i mirënjohur.

Edhe trajneri tjetër i Superligës, Ismet Munishi, e vlerësoi si tejet pozitive paraqitjen e futbollistëve të Superligës. “Futbollistët e Superligës së Kosovës janë paraqitur shumë mirë. Kjo është shumë pozitive për futbollin e Kosovës, pasi u dëshmua edhe një herë se në Kosovë ka lojtarë që mund të luajnë me Përfaqësuesen”.

Ismet Munishi ka folur edhe për Blendi Baftiun, për Jetmir Topallin dhe për Arbër Hoxhën, të cilët i drejton te skuadra e Ballkanit. “Me aktivizimin e Blendit, të Jetmirit dhe të Arbër Hoxhës u rrit agresiviteti i Kosovës. Mendoj se djelmoshat e kryen provimin dhe ky operacion ka qenë i suksesshëm”, vlerësoi trajneri i Ballkanit.

Pas ndeshjes ka reaguar edhe drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina.

“Po bëhen afër katër vjet që po luajnë bashkë Armend Thaqi e Leutrim Bekteshi dhe luajtën mjaft mirë”, ka thënë Morina. “Këta djelmosha, të gjithë, e dëshmuan veten dhe ia ndritën fytyrën Superligës së Kosovës”, vlerësoi më tej Morina. “Aspak nuk u treguam inferiorë ndaj një skuadre mjaft me përvojë”, shtoi ai.

Challandes: Jam i kënaqur me paraqitjen dhe me filozofinë

Përgjegjësi i Kosovës, Bernard Challandes, e ka komentuar paraqitjen e futbollistëve të tij pas ndeshjes.

Tani ka ardhur edhe reagimi i trajnerit Bernard Challandes, i cili është i dëshpëruar me rezultatin. “Jam i dëshpëruar me rezultatin, por i kënaqur me paraqitjen dhe me filozofinë”, ka thënë Challandes.

“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë. Edhe pse nuk ka pasur ndonjë rëndësi rezultati, ne duhej të fitonim”, vlerësoi Challandes. “Kemi luajtur futboll të mirë dhe ne kemi luajtur më mirë se Suedia. Por ne duhet të shënojmë”, shtoi timonieri zviceran.

Reagimet e futbollistëve

Pas ndeshjes ka reaguar edhe kapiteni i FC Prishtinës, Armend Thaqi.

Thaqi, i cili kishte qenë edhe më herët pjesë e Kosovës, është shprehur krenar për paraqitjen e sotme. “Nuk ka ndjenjë më të mirë për një futbollist që ta përfaqësojë vendin e tij. Kam luajtur gjithë ndeshjen, jemi paraqitur mirë dhe krijuam raste, por nuk kishim fat te pësimi i golit”, vlerësoi ai.

Në këtë ndeshje për “Dardanët” u aktivizua për 90 minuta edhe portieri i FC Prishtinës, Visar Bekaj. “Krenar me dubutimin tim si startues dhe i gëzuar për debutimin e shokëve”, ka shkruar Bekaj në “Facebook”.

Njëri ndër lojtarët që la mbresa ndaj Suedisë ishte edhe futbollisti i Ballkanit, Jetmir Topalli. “Kjo ishte njëra nga ato ndjenjat më të mira që kam përjetuar ndonjëherë. Shpresoj ta përjetoj sërish një ndjenjë të tillë të përfaqësimit të shtetit tonë. Falënderoj trajnerin që na e ka dhënë këtë mundësi për të debutuar me kombëtaren dhe shpresoj se pa marrë parasysh në fund rezultatin kemi arritur t’i bëjmë krenarë të gjithë me lojën e treguar. Ndoshta ka ndikuar edhe fakti që nuk e kemi njohur aq mirë njëri-tjetrin, edhe pse gjatë stërvitjeve kemi punuar shumë. Tash duhet të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që në të ardhmen të jemi sërish pjesë e Kosovës”, theksoi Topalli.

I lumtur me paraqitjen e tij u shfaq edhe supertalenti tjetër i Ballkanit, Blend Baftiu.

“Jam i kënaqur me minutat e dhëna nga trajneri Challandes, por mendoj se u paraqitëm mirë”, ka thënë Baftiu.

“Kishim rastet tona, paraqitja ishte e mirë nga ana jonë. Ndjenjë e jashtëzakonshme ishte ta mbaja fanellën”, vlerësoi supertalenti kosovar. “Jam i kënaqur me paraqitjen tonë, si dhe me ftesën nga trajneri Challandes”, potencoi ai.