Superliga e Femrave vjen me derbi ferizajas

165

Dy skuadrat ferizajase do të përballen mes vete në xhiron e 16-të të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat), ka njoftuar të premten Federata e Hendbollit të Kosovës.

Dueli Ferizaj – Kastrioti do të zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në palestrën “Bill Clinton”. Kjo ndeshje është e vlefshme për pozitën e katërt në tabelë. Aktualisht vendin e katërt e mban Kastrioti me 21 pikë kurse kampioni aktual, Ferizaj ka një pikë më pak dhe renditet i pesti. Të shtunën do të luhen edhe ndeshjet: Shqiponja – Samadrexha (14:00), Drita – Vushtrria (17:00) e Istogu – KEK-u (18:00). Ndërkohë të dielën do të luhen dy ndeshjet e fundit të kësaj xhiroje: Vëllaznimi – Prishtina (14:30), Vjosa – Jusuf Gërvalla (18:00).

Në konkurrencën e meshkujve, nuk do të ketë ndeshje të Superligës A për shkak të grumbullimit të Përfaqësueses së Kosovës. Kurse në Superligën B do të luhet xhiroja e 20-të, në të cilën do të zhvillohen dy ndeshje. Të shtunën prej orës 17:00 do të zhvillohet ndeshja ndërmjet Prizrenit dhe Llapit kurse të dielën është dueli mes Zhegrës e Vushtrrisë (18:00). Zhegra udhëheq në tabelë me 17 pikë, tri më shumë se Vushtrria e vendit të dytë. Llapi është i treti me 12 pikë kurse Prizreni i fundit me tri pikë të mbledhura.