Super Navas, Reali nuk do të blejë portier

114

Ndaj Sevillas Keylor Navas priti penalltinë e tretë në këtë sezon, dhe me meritë portieri kosta-rikan është një nga lojtarët më të dashur nga tifozët e Realit të Madridit në këto momente. Paraqitjet që ka bërë gjatë këtij sezoni e kanë shndërruar ish gardianin e Levantes në idhullin e ri të tifozerisë madrilene dhe madje me një Navas në formë të tillë, vështirë se Los Blancos do të hynë merkato për të blerë një portier të ri sezonin e ardhshëm, me David De Gean që duhet të presë edhe për disa kohë për të veshur fanellën e bardhë.

Sesi humbet një penallti këtë gjë e dinë shumë mirë Ruben Castro, Antoine Griezmann dhe Kevin Gameiro, që në këtë sezon kanë parë sesi Keylor Navas ka neutralizuar goditjet e tyre nga 11 metrat. Vetëm Dani Parejo i Valencias ka arritur ta mposhtë 29-vjecarin amerikano-jugor nga pika e bardhë në këtë sezon, me Keylor Navas që është portieri që ka pritur më shumë penallti në Europë. Në një sezon si ky ku vetëm, Cristiano Ronaldo ka përmbushur pritshmëritë e tifozëve të Realit përsa i përket lojtarëve që luajnë në repartin e avancuar, fansat madrilenë kanë gjetur te kosta-rikani idhullin e tyre të ri.