Statovci: Me Slloveninë ndeshje e vështirë por nuk jemi ekip për t’u dorëzuar, pas këtyre eliminatoreve duhet ndryshime në të gjitha aspektet

Kosova sonte nga ora 20:45 do të zbres në stadiumin Stozice në Lubjanë për t’u ndeshur me Slloveninë, sfidë kjo e parafundit në Ligën e Kombeve për këtë edicion.

“Dardanët” të cilët po kalojnë momente aspak të mira për shkak të mungesës së rezultateve, do të tentojnë të marrin një fitore e cila nuk qon aspak peshë sa i përket renditjes në grup, por do të ndikon në vetëbesimin e skuadrës.

Në katër ndeshje, Kosova ka vetëm dy pikë dhe kjo ka bërë që gjasat e saja përballë Sllovenisë, e cila po e kërkon vendin e parë, të jenë minimale.

Ish futbollisti i mirënjohur tash trajner Faruk Statovci në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se gjasat tona përballë Sllovenisë janë të vogla, por ne nuk jemi ekip që duhet dorëzuar herët.

Statovci vlerëson se kjo situatë që po kalon Kosova duhet analizuar dhe pas këtyre eliminatoreve duhet ndërhyrje në të gjitha aspekte nga shtabi teknik e tek futbollistët. “Është një ndeshje e vështirë, gjithmonë duke e parë ecurinë e fundit të ekipit me shumë probleme, me mungesa por edhe me qasjen për fitore. Kjo lë me kuptu se do të jetë vështirë sonte”, ka thënë Statovci. “Ndeshja kundër Shqipërisë e cila ka qenë nën çdo nivel nuk na len me besu shumë, por shpresojmë në diçka të mirë. Tek e fundit ne gjithmonë duhet besuar por kështu qysh po shihet shumë vështirë. Ka shumë arsye pse kemi ardhur deri te kjo situatë, por ajo që është kryesorja them se shumë lojtarë tanë nuk janë duke luajtur standard në ekipet e tyre dhe kjo po vërehet”, ka vlerësuar ish futbollisti llapjan tash trajner.

Statovci ka thënë se Kosova nuk ka ekip për tu dorëzuar kaq herët kështu që duhet medoemos ndërhyrje dhe atë jo vetëm në shtabin teknik por edhe te lojtarët.

”Shpresoj që me kohë do të ketë ndryshime në të gjitha aspektet. Kur nuk shkon diçka sigurisht që duhet shikohen gjitha aspektet. Ne nuk jemi përfaqësuese m’u dorëzu”, ka përfunduar Statovci.

Kosova aktualisht është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, duke e lënë mbrapa vetës Moldavinë derisa Sllovenia e Greqia kryesojnë grupin dhe po luftojnë për kualifikim në Ligën B.