Starova gëzon tifozët e Feronikelit

Sulejman Starova në fillim të muajit mars u largua nga detyra e trajnerit te Partizani i Tiranës me idenë që të pushojë për një kohë nga loja që ia kushtoi jetën.

Por, ky pushim nuk zgjati më shumë se dy javë, pasi më 20 mars u zyrtarizua si trajner i skuadrës së Feronikelit, shkruan Koha Ditore.

Projekti, oferta dhe synimet e krerëve të klubit nga Drenasi ia kishin ndërruar mendjen Starovës, i cili nuk hezitoi për të firmosur kontratë. Ai firmosi deri në fund të edicionit, me mundësi vazhdimi edhe për edicionin e ri.

Pasi përfundoi edicioni në Vala Superligën e Kosovës, Feronikeli e konfirmoi Starovën edhe për edicionin 2018/19 dhe arsyeja është e qartë, trofetë e lakmuar në futbollin kosovar.

Kësisoj, me mobilizimin e klubit dhe përforcimet e shumta, Feronikeli i Starovës synon titullin e kampionit.

Një gjë të tillë e ka paralajmëruar edhe Starova.