Stadiumi i Llapit askund hiq

234

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, së bashku Ibër Alajn, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) inspektuan punimet që po zhvillohen në rregullimin e stadiumit të qytetit “Zahir Pajaziti” në Podujevë e që ishin dashur të kryhen sipas projektit.

Gjatë vizitës, kryetari i Komunës së Podujevës, Veliu, shprehu edhe njëherë nevojën për rritjen e dinamikës së kryerjes së punimeve në rregullimin e stadiumit në mënyrë që KF Llapit t’i mundësohet që t’i nisë garat kampionale në stadiumin e vet.

Kryetari Veliu ofroi përkrahjen e parezervë të ekzekutivit komunal, për të ndihmuar në kryerjen sa më të shpejtë të punimeve në stadiumin e qytetit.

Drejtori i Sportit në MKRS, Ibër Alaj u zotua për ndërmarrjen e veprimeve të shpejta me qëllim të vazhdimit të punimeve, duke premtuar bashkëpunim dhe koordinim më efikas me kompaninë e kontraktuar për kryerjen e punimeve.

Gjithashtu zyrtari i MKRS ka vizituar edhe lokacionin në Kërpimeh, i cili nga komuna e Podujevës është caktuar për ndërtimin e fushave sportive në këtë fshat.