SPECIALE/ Sot katër vite pa presidentin historik të Dritës

518

Sikurse sot, katër vite më parë qyteti i Gjilanit mori lajmin më të hidhur viteve të fundit. I madh e i vogël u ngritën në këmbë me të mësuar se kryetari historik i Dritës, Selami Osmani – Bezi, kishte ndërruar jetë. Lajmi shokoi të gjithë dashamirët e sportit në vendin tonë dhe në veçanti tifozët “Intelektualët”, pasi mbetën pa njeriun i cili dha gjithçka për ngjyrat dhe emblemën e Klubit Futbollistik “Drita”, shkruan Gazeta Sheshi.

Lajmi për vdekjen tij ishte konfirmuar nga familjarët, derisa shumë kush nuk mund ta besonte atë. Shumë tifozë, dashamirë dhe figura të njohura në vendin tonë i dhanë lamtumirën e fundit president Bezit më 19 shtator të vitit 2012.

Kryetari historik

Kryetari historik Selami Osmani për herë të parë në krye të Dritës erdhi pas viteve të 90-ta, të cilin e menaxhoi për 15 vite më rradhë dhe arriti t’i shndërrojë bardh e kaltërit në ankth për të gjitha skuadrat kosovare, duke arritur t’i prekë majat e futbollit kosovar. Legjenda e qytetit gjilanas, Bezi, i cili për 15 vite arriti të kontribojë me tërë qenien e tij për Dritën arriti të stolisej me titullin kampion të Kosovës në sezonin 2002/03, ndërsa një vitë më herët kishte rrëmbyer edhe Kupën e vendit. Falë kontributit të pashoq të “Bezit”, në Dritë erdhën emrat më të njohur të vendit tonë duke dominuar për vite me rradhë futbollin kosovar, pasi për disa sezone më rradhë nuk zbriti asnjëherë nga vendi i tretë dhe ishte gjithashtu edhe gjysmëfinalistë në Kupën e Kosovës. Ai me plotë meritë cilësohet nga “Intelektualët” si presidenti historik i KF Dritës.

Emri i Bezit edhe sot e kësaj dite përmendet vazhdimisht nga tifozëria e çmendur e Dritës, Intelektualët.

Përgatiti: Redaksia e Sportit

/Gazeta Sheshi/