Sot eshte ditëlindja e Leka Zogut, pretendentit për fronin mbretëror te Shqiperise

101

Leka Zogu u lind me 5 Prill 1939 në pallatin mbretëror në Tiranë. Ai ishte djali i vetëm i mbretit Ahmet Zogu dhe mbretëreshës Geraldine. Princi jetoi vetëm dy ditë në Shqipëri. Familja mbretërore për shkak të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, u detyrua të largohej.

Fëmijërinë e ka kaluar në disa vende evropiane deri në momentin kur familja mbretërore u vendos në Egjipt, më pas në Spanjë dhe Afrikën e Jugut. Fillimisht ai ka nisur edukimin në një shkollë angleze, më pas në Egjipt për të vijuar në Zvicër.

Studimet e larta i ka ndjekur në degën e ekonomisë në universitetin e Sorbones në Francë. Duke ndjekur traditën e familjeve mbretërore Leka Zogu ndoqi edhe Akademinë Ushtarake Mbretërore në Angli, Sundhurst. Me 5 prill 1957, në hotelin Bristol, ai u kurorezua mbret nga Asambleja Kombëtare në mërgim.

Ndërsa në vitin 1975 Leka u martua me shtetasen australiane Susan Cullen Eard. Për shumë vjet pretendenti i fronit mbretëror jeton në Afrikën e Jugut. Menjëherë pas rënies së komunizmit në Shqipëri Leka Zogu u prononcua për median e kohës, duke tentuar për të realizuar ambicien e tij për t’u bërë mbret i shqiptarëve.

Në vitin 1993 për herë të parë ai mberriti në Shqipëri me një pasaportë të lëshuar nga oborri mbretëror, ku si profesion në këtë pasaportë ishte shënuar “Mbret”, por autoritetet e asaj kohe i kërkuan të largohej. Bashkë me zgjedhjet e parakohshme në qershor të vitit 1997 u mbajt edhe referendumi për formën e regjimit në Shqipëri, por dy të tretat e votuesve u shprehen kundër rikthimit të monarkisë dhe pro republikës.

Princi Leka kishte pretendime për rezultatin dhe ai u përfshi në një përplasje të armatosur të mbështetësve të tij me policinë, që kishte në mbrojtje selinë e Komisionit të Zgjedhjeve në Pallatin e Kongreseve. Leka Zogu u largua nga Shqipëria për në Afrikën e Jugut, ndërkohë që një gjykatë në Tiranë e denoi në mungesë me tre vjet për përfshirjen në protestën e armatosur, ku mbeti i vdekur një prej mbështetësve të tij.

Rikthimi i familjes mbretërore në Shqipëri do të përsëritej në vitin 2005 ndërkohë që në vitin 2006 ai do të deklaronte heqje dore nga aktivitetet politike.

Ai vdiq me 30 nëntor të vitit 2011 në moshën 72-vjeçare në spital ku qëndroi i shtruar prej disa ditësh pësoi një fibrilacion arterial, formë e aritmisë.

Pasuesi i tij si pretendent për fronin mbretëror është tashmë princi Leka./KosovaPress/