Sopi i kundërpërgjigjet fuqishëm Abedin Zekës, sqaron situatën e Traores

2180

Agim Sopi, trajneri shqiptar i klubit suedez, Osterlen FF, po akuzohet nga presidenti i Trepça 89, Abedin Zeka, se orkestori transferimin e Lassina Traore, pa dijenin e klubit nga Mitrovica. Lidhur me këto pretendime të Zekas, Insporti ka kontaktuar Sopin, i cili kategorikisht ka mohuar një gjë të tillë.

Ish trajneri i Feronikelit, Agim Sopi, nën urdhërat e tij tek klubi suedez, Osterlen FF, do të ketë dy ish lojtarë të Trepça 89, Djibril Diawara dhe Lassina Traore.

Teksa presidenti i klubit nga Mitrovica, Abedin Zeka, ka akuzuar Sopin se ka orkestruar transferimin e Traores në Suedi, pa dijenin e klubit, 51 vjeçari nga Shkupi ka thënë se akuzat e tilla janë të kota, duke qenë se lojtari nuk kishte kontratë me Treçën 89.

“Mua më ka kontaktuar agjenti i Lassina Traore, njëri i cili është në Belgjikë, e di mirë Abedin Zeka se kush është ai” – filloi Sopi, duke rrëfyer kronologjikisht historinë e transferimit të Traores.

“Ai (agjenti) më tha, Agim a të duhet ndonjë lojtarë për Suedi? I kam thënë që jemi në ligë të katërt dhe nuk kemi mundësi të marrim asnjë lojtarë, por nëse ngritemi në ligë të tretë, jemi ligë profesionale dhe kemi drejtë me transferu lojtarë. E pyeta se për kë e ka fjalën dhe ai më tha për lojtarin e Trepça 89, Lassina Traore. Ai nuk ka kontratë, kontrata aktuale i skadon me 30 qershor edhe ai nuk dëshiron me qëndru më në Kosovë, dëshiron të dal jashtë” – kishte thënë agjenti i lojtarit.

“Pas përfundimit të kampionatit, kur hymë në ligë, agjenti më thirri përsëri dhe unë e pyeta nëse është i sigurtë që lojtari është i lirë dhe se nuk ka kontratë me Treçën. Ai më garantoi se nuk ka kontratë. Klubi ka thënë se nuk kanë para për kompenzim, vetëm nëse është lojtari i lirë. Abedin Zeka mundet me i kërku edhe 1 milion euro por FIFA ka skemën e vetë, duke shikuar sa vjet i ka lojtari, ligën dhe vendin ku luan etj”.

Lidhur me akuzën e Abedin Zekas, që ishte Sopi ai i cili ia mundësoi vizën për në Suedi mesfushorit Traore, Sopi u shpreh se një gjë e tillë është absurde pasi ishte e pamundur në kohë pandemie të bënte një gjë të tillë.

“Agjenti garantoi se lojtari nuk ka asnjë klauzolë kompenzimi ndaj Trepça 89. Klubi suedez pasi i kërkoi kontratën lojtarit, filloi procedurat”.

“Isha në vizitë personale në Shkup, dhe vendosa ta takojë lojtarin të shikojë karakterin e tij. Nuk është e vërtetë që unë jam kam bërë vizën për në Suedi, pasi as babait tim nuk mund të ja bëjë. Ajo çfarë ka thënë ai (Abedin Zeka) është vetëm fjalë banale, pasi sipas ligjit të pandemisë në Suedi, është e pamundur të ja rregullosh dikujt vizën”.

“Klubi nuk ka marr asnjë padi nga askush. E kam pyetur klubin dhe më kanë thënë se i kanë të gjithë dokumentacion se ai (Lassina Traore) ishte lojtar i lirë. Mua më ka pëlqyer por nëse lojtari do të kishte kontratë, nuk do të kishte mundësi ta regjistroje në FIFA dhe UEFA” – përfundoi ai.

Abedin Zeka, këto akuza në llogari të Sopit i bëri në emisionin “Dueli Sportiv”.

Kujtojmë që mesfushori nga Mali, Lassina Traore, ishte transferuar nga Black Stars tek Trepça 89 në janar të vitit 2019.

Traore me fanellën e Trepça 89, zhvilloi 30 paraqitje, ku arriti të shënoi 5 gola.