Skuadrat luajnë në përgatitje ndeshjet e munguara evropiane

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Trepça ’89 dhe nënkampionia Prishtina nuk patën më shumë se nga dy ndeshje në kualifikime për Ligën e Kampionëve, përkatësisht Ligën e Evropës, shkruan sot Koha Ditore.

Të dy klubet u eliminuan në raundin e parë të kualifikimeve. Eliminimi i hershëm nga garat evropiane u vlerësua se erdhi edhe si mungesë e përvojës ndërkombëtare. Janë ndeshje si ato me Vikingurin e Ishujve Faroe dhe Norrkoepingun e Suedisë që sjellin përvojën e vërtetë ndërkombëtare për skuadrat kosovare.

Por përvojë ndërkombëtare klubet e vendit po fitojnë edhe falë përgatitjeve që po i zhvillojnë në shtete tjera, kryesisht në Turqi.

Numri i ndeshjeve me ekipe të huaja në fazë përgatitore është dukshëm më i madh se numri i ndeshjeve zyrtare dhe kjo gjendje pritet të jetë edhe për disa edicione.

Tri skuadrat që këtë vit qendruan në Turqi ishin Trepça ’89, Prishtina dhe Llapi.