Skuadra “shëtitëse” nga Kazakistani bën histori në llogari të Bashkimit

Bashkimi i Prizrenit bëri histori në edicionin e kaluar të Ligës Ballkanike, duke arritur deri në finale. E së fundmi në llogari të Bashkimit ka bërë histori një skuadër tjetër, një që befasisht po paraqitet në Ligën Ballkanike në basketboll.

Nuk do të kishte vend për BC Barsy Atyrau në Ligën Ballkanike nëse pronarët e saj do t’i përmbaheshin parimit që pjesëmarrëse të jenë vetëm skuadrat nga rajoni i Ballkanit. Por pronari i Ligës Ballkanike, Shay Shtriks, është i njohur për “risitë” dhe kështu ka bërë vend për Barsy Atyraun, skuadrën nga Kazakistani, shkruan sot Koha Ditore.

Barsy është klub nga qyteti Atyrau, që është plot 3715 kilometra larg nga Durrësi ku të mërkurën mbrëma u takuan Barsy e Bashkimi. Fitore shënoi Barsy me shifrat 81:75. Për skuadrën nga Kazakistani ishte fitorja e parë pas katër humbjeve rresht. Ndërkohë bilanci i Bashkimit në ligën rajonale me shtatë skuadra është një fitore e pesë humbje.

“Barsy Atyrau ia ka dalë të shënojë fitoren e parë në Ligën Ballkanike. Ekipi nga Kazakistani ka pritur Bashkimin dhe arriti fitore 81:75 pasi udhëhoqi prej çerekut të parë. Të verdhët performuan dukshëm më mirë se kundërshtarët dhe ia dolën të shënojnë fitoren historike”, ka shkruar sajti i Ligës Ballkanike.

Më 16 tetor të vitit të kaluar Barsy i është bashkuar Ligës Ballkanike. Barsy do t’i luajë ndeshjet në rajonin e Ballkanit, ndërsa janë parashikuar katër udhëtime të kësaj skuadre për në Ballkan. Në të kaluarën ka pasur skuadra nga Izraeli në BIBL, që po humb në rëndësi nga viti në vit.