Skuadra serbe ia mësyn Kosovës, por ndalohet në pikën kufitare

217

Hendbollistët e klubit serb, Arilje, nuk janë lejuar të dielën që të hyjnë në Kosovë, ka njoftuar gazeta beogradase, Danas.

Hendbollistët serb janë mbajtur në pikën kufitare në Jarinje dhe nuk janë lejuar që të vazhdojnë për në Mitrovicë ku është dashur ta luajnë ndeshjen ndaj klubit të ashtuquajtur Trepça, në kuadër të Ligës së Parë të Serbisë.

Sipas një njoftimi të këtij klubi, drejtuesve të Ariljes u është thënë se as ekipet tjera nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë dhe se paraprakisht duhet të dërgohet kërkesë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës për aprovim.

Ditë më parë në Mitrovicën Veriore qëndruan drejtues të Federatës së Sportit të Serbisë që premtuan përkrahje më të madhe për klubet dhe të ashtuquajturat Federata, që funksionojnë nën ombrellën e federatave të Serbisë.