Skandal në Drenicë, Devolli futet në fushë dhe provon ta godas lojtarin e Besës

3046

Drenica vazhdon të mbetet pa fitore tani e 102 ditë rresht.

Skuadra e drejtuar nga Bledar Devolli nuk arriti sot më shumë se një barazim ndaj rivalëve të fundit të tabelës, Besës.

E ky rezultat i dobët duket se nervozoi tejmase “Shqiponjat e Zeza”.

Mediumi i ‘Olle’, ka raportuar se futbollistët e Besës u shanë e u sulmuan pas përfundimit të takimit.

Fillimisht ishte sulmuesi i ri, Festim Haxhiu ai që deshi ta përshëndes portierin rival, Arion Ymerin pas ndeshjes.

Por përshëndetja e tij iu kthye me të keq nga gardiani i Drenicës i cili ia ktheu atij me sharje dhe fjalë banale.

Pas këtij momenti u nxenë edhe gjakrat në fushë, teksa brenda terrenit u futën edhe trajneri i Drenicës që ishte i pezulluar për këtë takim, Bledar Devolli dhe disa pjestarë të kryesisë së skuadrës.

Trajneri nga Shqipëria dukej se inatin e kishte me Agon Xhakën, pasi që provoi ta godiste këtë të fundit dhe të futej në konflikt me të, por disa persona që ishin aty ndalën incidentin duke e larguar dhe qetësuar shefin e shtabit teknik të skuadrës nga Skenderaj.

Keq sot mund ta pësonte edhe i riu Bekim Maliqi i cili poashtu ishte gati të goditej nga një pjestar i paidentifikuar i kryesisë së skuadrës rivale, por që fatmirësisht i iku konfrontimit fizik.

Tek Drenica ishin të pakënaqur me rezultatin, e për këtë arsye edhe nuk pati prononcim për medie nga ta pas duelit.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh me gjithë këtë histori.