Sistemi VAR arrinë në Shqipëri

VAR ka ithtarët dhe kundërshtarët e vet të mëdhenj. Sidoqoftë, duket më i drejtë se vlerësimi njerëzor i gjyqtarëve të fushës, të cilët duhet të marrin vendime në fraksion të sekondës. Nuk ka kthim mbrapa në këtë drejtim, përveçse perfeksionim i vendimmarrjes përmes teknologjisë. Prandaj, edhe FSHF po shtron rrugën e një risie të re, që pritet të funksionojë në Kategorinë Superiore sa më shpejt të jetë e mundshme dhe e realizueshme.

Ja njoftimi i qeverisë shqiptare të futbollit me këtë rast, pas një takimi me këtë fokus:

Sistemi VAR është projekti i radhës që Federata Shqiptare e Futbollit synon të implementojë në Kategorinë Superiore. Për realizimin e këtij projekti ambicioz, FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë lluar seminaret dhe takimet me IFAB dhe FIFA.

Seminari parë është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, me praninë e Presidentit Armand Duka dhe Thibaud Nijssen, nga IFAB si menaxher i shërbimeve të futbollit. Bhaveshan Moorghen, nga Departamenti i Teknollogjisë dhe Inovacionit në FIFA dhe Mike Bossler nga Sektori i Arbitrimit në FIFA si dhe drejtues të FSHF që janë pjesë e grupit të punës.

Presidenti Duka shprehu vullnetin e tij për ta implementuar këtë sistem në Kategorinë Superiore nga sezoni 2021-2022, dhe kërkoi nga ekspertët e IFAB dhe FIFA ekspertizën e nevojshme për të rritur kapacitetet njerëzore dhe sugjeruar sistemin më të mirë që duhet implementuar. “Jemi në këtë takim për sistemin VAR, pavarsisht se ka mendime të ndryshme, ky është një vendim tashmë, një vendim për tu respektuar dhe për tu zhvilluar. Si të gjithë vendet evropiane dhe përtej që e kanë implementuar ne kemi vendosur ta fillojmë këtë proces. Me përkrahjen tuaj unë uroj që të bëjmë një sistem sa më të mirë, është diçka e ndërlikuar. Unë nuk mendoj se VAR-i do të drejtojë lojën, do të jenë përsëri arbitrat, dhe kjo është shumë e rëndësishme që arbitri ta kuptoj që arbitri mbetet ai që vendos.

Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar arbitrin në vendimmarrjen e tij, por jo për të vendosur në fushë. Në fushën e lojës vendos vetëm arbitri. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike që edhe ndodhin kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia.

Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tre kamera apo dy-tre pajisje që vendosin vizat për pozicionin jashtë loje. Objektivi ynë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, dhe besoj se do të fillojmë me Kategorinë Superiore. Brenda një kampionati të jemi me dy standarte do të jetë e vështirë, nëse e implementojnë në disa ndeshje, kështu që unë mendoj se duhet të arrijmë ta fillojmë në të gjithë kampionatin e Kategorisë Superiore në edicionin 2021-2022”.

Projekti për implementimin e sistemin VAR parashikohet të shtrihet në faza, ku në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspert arbitrimi, arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspert teknologjie, ekspert ligjor dhe nga sektori garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikimet e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementim që jepet nga IFAB dhe FIFA, me qëllim për tu fokusuar tek praktikat më të mira. Ndihma e IFAB dhe FIFA ofrohet për të zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR për të mbrojtur garën dhe kompeticionet.

Në fazën e dytë parashikohet përcaktimi i sistemit që do të implementohet. Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA përveç rritjes së kapaciteteve njerëzore do të jetë edhe në përzgjedhjen e sistemit më të mirë, duke parë që sot aplikohen tre sisteme VAR:

një sistem me regji qëndrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër me mini-van të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshje. Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementimit, dhe duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm në afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën.